E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Kosova pjesë në Partneritetin për Paqe, me Serbinë të dialogojmë! Stoltenberg: Ballkani rëndësi strategjike për NATO

Kryeministri Edi Rama së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp nga selia e NATO-s në Bruksel. Në fjalën e tij Stoltenberg deklaroi se fakti që Shqipëria miratoi në Parlament ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO tregon se dera e NATO mbetet e hapur.

“Më vjen mirë t’iu shoh sërish. Shqipëria një aleate mjaft e vlerësuar. Shqipëria kontribuon në forcat shumëkombëshe të NATO në Letoni dhe Bullgari. Ju ndihmoni edhe në parandalimin e çdo agresioni kundër vendeve aleate te NATO dhe Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO. Në samitin e NATO në Madrid morëm vendime me efekte mjaft thelbësore për të forcuar aleancën. Një koncept të ri strategjik. Ramë dakord të ftojmë Finlandën dhe Suedinë për të anëtarësuar në NATO dhe falenderoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit për të dyja vendet. Kjo dëshmon që dera e NATO mbetet e hapur”, tha Stoltenberg.

Ndërsa Kryeministri Rama në fjalën e tij shprehu krenarinë që Shqipëria ishte një nga të parat vende të NATO që miratoi protokollin për aderimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Ai ripërsëriti po ashtu edhe mbështetjen ndaj Ukrainës. Ai theksoi nevojën për një dialog të përhershëm mes NATO dhe vendet e Ballkanit Perëndimor përfshi edhe Serbinë.

“Kënaqësi dhe nder që kthehem këtu dhe kam mundësi të ndaj me ju disa opinione pas samitit të Madridit, i cili ishte moment historik për aleancën transatlantike. Jam krenar që parlamenti jonë u bë i pari nga vendet aleate për të miratuar protokollin për aderimin e Finlandës dhe Suedisë. Qëndrojmë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe është  e padiskutueshme për integritetin territorial të Ukrainës. Është e rëndësishme të vazhdojmë bashkëbisedimin përkundrejt situatës dhe detyrimet që kemi në BP që të parandalojmë çdo përshkallëzim e të parandalojmë çdo ndikim, të keq të kthehet në probleme për rajonin tonë. Në kapacitetin tonë ne do të  luajmë rolin tonë tradicional në mbështetje të paqes rajonale, stabilitetit. Koncepti i ri strategjik thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO mendoj se është e rëndësishme të vijojmë një dialog të përhershëm me vendet e Ballkanit Perëndimor përfshi Serbinë e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por është ende pjesë e rajonit tonë”, tha Rama ndërsa theksoi nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe. Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-i krijuar në 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.

“Pata shansin t’iu them atë që kam përmendur në samit, nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe. E dimë që ka kufizime politike nga disa aleate dhe ky është një organizëm konsensual. Me kohët që po jetojmë në këndvështrimin tim modest është e mençur që kjo të rikonsiderohet.

E vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për t’iu prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë duke ë vënë në dispozicion të NATO një bazë të flotës detare të fundit që do jetë një vend që mund të ndërtojmë duke pasur parasysh sfidat e kohës sonë nga ndryshimi i klimës dhe gjithçka tjetër”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›