Vokshi flet pas seancës gjyqësore me ministren: Tentoi që të tërhiqja denoncimet! Kushi: Mashtrim, isha unë që e padita për shpifje

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi në një prononcim për media pas seancës pajtuese me Ministren e Arsimit, në Gjykatën e Posaçme, ka deklaruar se pati tentativa nga Evis Kushi për tërheqjen e deklaratave dh denoncimeve nga ana e demokrates.
Albana Vokshi thotë se Ministrja Kushi e ka shndërruar arsimin në celulë të Partisë Socialiste dhe e ka degraduar atë. Vokshi theksoi se nuk do pajtohet me Kushin dhe Ramën që sipas saj mbajnë përgjegjësi ligjore për 208 nxënës dhe studentë të larguar nga sistemi arsimor vitet e fundit. Në përfundim të deklaratës së saj, Vokshi paralajmëroi protesta të tjera nga ana e opozitës ndërsa u bëri thirrje studentëve t’iu bashkohen në tubime.
“Mua dhe kolegëve në respekt edhe të grevës së avokatëve që nuk u paraqitën, meqenëse ishte seancë pajtuese ministrja Kushi tentoi që unë të tërhiqja denoncimet e mia, kjo nuk ndodh. Si mundet unë të pajtohem me ministren kur ajo e ka shndërruar arsimin në celulë të PS dhe e ka degraduar arsimin. A mundem unë të pajtohem me Evis Kushin dhe Edi Ramën që mbajnë përgjegjësi ligjore që 208 mijë nxënës dhe studentë janë larguar nga sistemi arsimor këto vitet e fundit dhe kjo tregon plagën e rëndë të vendit. Ne si opozitë do të jemi në krah të tyre duke shprehur mirënjohje dhe unë do i bëja thirrje çdo prindi, çdo studenti të rezistojnë, dhe të bashkohen në protestat që sapo kanë filluar dhe do vijojnë edhe më tej”, tha Vokshi.
Pas deklaratave të Vokshit, ka reaguar dhe Ministrja Kushi e cila ka bërë me dije se ka qenë ajo që e ka paditur deputeten për shpifje. Kushi deklaron para mediave se me besimin te drejtësia e re, do i shkoj deri në fund çështjes duke synuar një politikë te ndershme dhe pa shpifje e mashtrime.
“Deklarata ime për media pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme, ku e kam paditur për shpifje deputeten Albana Vokshi.
Keqardhje që edhe sot mashtroi përpara medias duke deklaruar që unë kam tentuar që ajo të tërhiqet nga denoncimet. I kujtoj deputetes që është e akuzuara në këtë çështje, dhe jam unë ajo që e kam ngritur këtë padi dhe e kam akuzuar për shpifje. Është guxim i madh të mashtrosh edhe mbi deklaratat brenda seancës në gjykatë, të cilat janë të dokumentuara dhe lehtësisht të verifikueshme.
Prandaj me besimin e patundur tek drejtësia e re, unë do t’i shkoj çështjes deri në fund, me qëllim për të kontribuar për një politikë të ndershme, pa shpifje dhe pa mashtrime”, tha Kushi.
/rtsh.al/