E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Kosova të këpusë kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë. Kurti: Sulmet tregojnë dobësi!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të premten nga Prishtina se Kosova duhet “ta ngrijë, ta ftohë” dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënies me fqinjin verior ta synojë përmes dialogut direkt me Bashkimin Europian.

Duke ndarë opinionin e tij për situatën e tensionuar mes dy vendeve, Rama tha se “reciprociteti nacionalist” po e dëmton Kosovën në raport me Serbinë dhe gjithashtu me BE-në, prej sanksioneve që po rëndojnë nga Brukseli.

“Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim, tanimë të konsoliduar ku nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe aleatet e me jo dashamirësit tanë, se në këtë faze kaq vendimtare për të Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut me BE, duke këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit  europianist me BE.

Nuk ka asnjë arsyer që Kosova të presë ca do bëjë Serbia për të bërë hapat e saj drejt BE dhe NATO-së. Kosova e uli në gjunjë Serbinë 25 vjet më parë dhe sot duhet ta lërë në bisht Serbinë. E them këtë jo për t’i dhënë Kosovës në asnjë mënyrë një leksion, por një opinion vëllazëror dhe konstruktiv për mënyrën sesi mësimet e integrimit në njërin vend mund ti vlejnë edhe vendit tjetër. Fatin tonë të përbashkët kombëtar e kemi të gjithin në duart tona dhe krahët i kemi të shtrira nga Mitrovica në Konispol.

Thënë ndryshe Kosova mund t’i japë familjes europiane në një kohë të shkurtër provën e vullnetit dhe të përkatësisë së vet duke përmbushet kushtet e normalizimit me Serbinë jo për hir Serbisë, por për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet, dhe për hir të të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve me kryeqytet Brukselin.“

Për qeverinë shqiptare, viti 2027 shihet me rendësi historike për sa i përket rrugës së integrimit drejt BE-së.

“Sot e presim me besim që në samitin e Hagës vitin e ardhshëm Shqipëria të shpallet zyrtarisht vendi mikpritës i NATO-s në 2027. Ky vit është dhe viti i objektivit historik të përcaktuar në planin tonë të përbashkët strategjikë me KE për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE dhe për t’i hapur rrugë pastaj procesit dyvjeçar të ratifikimeve në parlament e vendeve anëtare të cilat do të votojnë hyrjen e Shqipërisë në BE si anëtare me të drejta të plota në 2030.”

Gjithashtu, ai nënvizoi dhe objektivin e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në familjen e madhe europiane, ndërsa u shpreh se Kosova duhet ta hedhë “vallen e kësaj kohe të re të shqiptarëve në një ritëm me pagëzuesit e lirisë dhe me bekuesit e pavarësisë së saj”.

“Objektivat e përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë janë integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-në. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë progresi, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Europës dhe të botës dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe europiane. Këto fjalë kaq të thjeshta në dukje janë gjithçka që na duhet dhe na mjafton për të mos e e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit përfundimtar në familjen e madhe europiane të të dy shteteve tona si dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si ‘trimi i mirë me shokë shumë’,” deklaroi Rama.

Kosova mund t’ia japë familjes europaine dhe NATO në në një kohë shumë të shkurtër provën e vullnetit dhe të përkatësisë së vet duke i përmbushur unilateralisht të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve, jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet. Për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me komitet të përbashkët Brukselin.”

Kurti: Bashkëpunimi ynë forcon identitetin shqiptar, sulmet e Serbisë tregojnë dobësinë e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se kjo mbledhje është shprehje e aspiratës për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe janë të motivuara nga vetëdija historike dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve.

Kurti theksoi se rajoni dhe Europa kanë nevojë për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke përmendur se Kosova po avancon për sa i përket integrimit, pavarësisht situatës që përballon për shkak të sulmeve agresive të Serbisë që synojnë destabilitetin e vendit. Kryeministri nënvizoi se “terrorizmi i financuar nga Serbia janë akte të dobësisë së tyre”.

Ai gjithashtu shtoi se Shqipëria është një aleat i fuqishëm i Kosovës dhe se të dy vendet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të tejkaluar pengesat politike dhe për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Dy shtetet tona janë shprehje historike e aspiratës për ruajtjen e identitetit kombëtar. Vetëdija historike dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve motivojnë mbledhje si këto. Sot kuvendet tona bëjnë bilancin e marrëveshjeve dhe mbulojnë të gjitha fushat e veprimit shtetërore.  Kemi punë përpara jo vetëm ndaj qytetarëve por dhe për të ndihmuar sigurinë dhe jetesën e dinjitejshme të shqiptarëve ne vendet fqinje, në Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi. Shqiptarët në Serbi janë ndër më të diskriminuarit në Europës dhe meritojnë mbështetjen tonë, Shqiptarët nuk janë fajtor që janë autoktonë. Kosova dhe Shqipëria janë mbështetës të fuqishëm të proceseve integruese euroatlantike. Sot rajoni e Europa ka nevojë për BE dhe NAto-n, ne gëzohemi për arritje e Shqipërisë. Kosova po avancon në këtë drejtim për aq sa lejon situata ku ajo ndodhet për shkak të fushatës agresive të Serbisë për të na njohur si shtete pore dhe për faktin se 5 shtete të BE që nuk e njohin Kosovën. NATO është në Kosovë, por Kosova ende jo në NATO. Sulmet terroristë ndaj Kosovës që vijnë nga e njëjta adresë, Serbia, e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO. Forcat e sigurisë së Kosovës janë në lartësinë e detyrës dhe besojmë se Shqipërinë e kemi në krah për të tejkaluar pengesat politike për pengimin e Kosovës në anësimin në këtë organizatë. Terrorizmi i financuar nga Serbia janë akte të dobësisë së tyre dhe ky është fundi i tyre, janë dëshpërimi i tyre , fundi i sundimit të tyre. Këto mbledhje do të vijojnë me të njëjtën frymë dhe dobi përtej se kush do të përfaqësojë qytetarët e dy vendeve”, tha Kurti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›