Rama: Kur sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, fakt shtetëror që s’mund të anashkalohet

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se pavarësia e drejtësisë nuk duhet të nënkuptojë shkëputje nga Kushtetuta, duke theksuar se institucionet e drejtësisë, media dhe organet e tjera duhet të respektojnë kompetencat dhe të drejtat e secilit.
Në një konferencë për shtyp në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pas kthimit sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama u shpreh se lufta kundër paligjshmërisë duhet të nisë edhe nga vetë institucionet e drejtësisë.
“Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e sipërmarrjes apo krimit pa adresuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e drejtësisë s’mund të shfaqet si shkëputje nga Kushtetuta dhe shpërfillje”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë, gjykata të gjykojë dhe media të zbulojë e të informojë, por sipas tij, asnjë prej tyre nuk ka të drejtë të shpallë dikë fajtor përpara përfundimit të procesit të drejtësisë apo ta dehumanizojë.
“Shteti ligjor ndërtohet me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe sigurinë për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se “përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur”.
“Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre. Askush nuk mund të pretendojë që sekretin hetimor ta ruajnë mediat. Problemi nuk nis te zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren nga prokurorët dhe gjykatësit për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur gjyqi, njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet formalitet. Ky problem, që nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, nuk mund të anashkalohet”, nënvizoi Rama.
Duke iu referuar çështjes së ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Rama tha se ajo duhet të trajtohet si një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë.
“Për sa më takon, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së SHISH, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar”, përfundoi Rama.
/a.f/r.e/ /a.g/