E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Mandatin e katërt ndërtojmë rrugën e drejtpërdrejtë Krujë-Tiranë

TIRANË, 7 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u premtoi sot banorëve të Fushë-Krujës ndërtimin e rrugës lidhëse mes Krujës dhe Tiranës gjatë mandatit të katërt qeverisës.

Në takimin përmbyllës elektoral në Fushë-Krujë, Rama prezantoi arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.

“Ne më në fund jemi në kushtet kur mund ta vëmë dhe e kemi vënë në planin tonë atë ëndrrën e vjetër të gjithë Krujës për të pasur një rrugë të drejtpërdrejt lidhje me Tiranën. Nëse e keni ndjekur prezantimin e bërë në programin e infrastrukturës tanimë rruga e drejtpërdrejtë është pjesë e programit tonë”, shtoi Rama.

Ashtu sikundër, kryeministri theksoi se “nuk ka nevojë për të qenë në ndonjë program afatgjatë sepse edhe rrugën lidhëse mes Fushë-Krujës dhe Krujës, ku tanimë ka shumë më tepër qarkullim, turistë e lëvizje do të duhet ta riveshim brenda një kohe të arsyeshme”.

Rama informoi banorët mbi ecurinë e investimeve së këtyre viteve, ndërsa theksoi se “përballë një errësire të madhe është i nevojshëm informimi i publikut me të vërteta e fakte”.

“Në atë errësirë ku publiku goditet përnatë e përditë me gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha është shumë e rëndësishme t’i japim mundësi njerëzve të shohin se çfarë ka ndodhur përtej zonës së tyre. Dikush që ka marrë shtëpinë e rindërtuar e di vetë se sa besnik i kemi qëndruar ne, por duhet të dijë edhe shumë gjëra të tjera. Të gjithë bashkë dimë se çfarë është bërë realisht. Ajo që planifikohet të bëhet nuk është manifest dëshirash elektorale, por po u tregojmë një plan të vendosur mbi themele shumë të forta”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›