E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Maskat e dhunuesve do të bien përmes videove dhe Inteligjencës Artificiale

Rama: Maskat e dhunuesve do të bien përmes videove dhe Inteligjencës Artificiale

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për protestat, duke deklaruar se protesta paqësore është një vlerë demokratike, ndërsa dhuna përbën, sipas tij, një sfidë kriminale ndaj shtetit, ligjit dhe sigurisë publike.

Në një deklaratë nga zyra e tij, Rama ka sulmuar personazhet publikë që, sipas tij, kanë dalë në mbrojtje të protestuesve të përfshirë në akte dhune, në vend që t’i dënojnë ato.

Kryeministri thekson se personat që morën pjesë në djegiet dhe shkatërrimet në Tiranë kanë precedentë penalë dhe i cilëson si dhunues të përsëritur të ligjit. Ai kundërshton gjithashtu pretendimet për mbrojtjen e identitetit të tyre nga ekspozimi publik.

“Jo, ligji është për të mbrojtur publikun nga dhunuesit, jo dhunuesit nga informimi i publikut. Populli ka të drejtë të dijë kush fshihet pas maskave ‘studentore’”, shkruan Rama.

Sponsorizuar

Kreu i qeverisë paralajmëron se identitetet e personave të maskuar do të mund të zbulohen përmes analizimit të pamjeve të publikuara në rrjetet sociale dhe të transmetuara nga televizionet, duke përmendur përdorimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.

“Dhe falë teknologjisë e Inteligjencës Artificiale, maskat do të bien duke përdorur vetë videot e panumërta të publikuara në rrjetet sociale apo transmetuara në ekranet televizive”, përfundon Rama.

Dyshohet se Rama përdori të dhënat sekrete të TIMS për të sulmuar disa protestues. Një ditë më parë lista e tij prej 40 personash u përgenjështrua nga disa prej tyre. Njëri prej tyre ishte student ekselent i mjekësisë ndërsa një tjetër ishte arrestuar 6 herë nga policia në protestat kundër kryeministrit dhe ishte shpallur i pafajsjëm nga gjykata. a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›