Rama: Mbrojtje ekonomike për pensionistët në rast se rriten çmimet e ushqimeve

TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në rast të rritjes së çmimit të ushqimeve pensionistët do të kenë mbrojtjen ekonomike të qeverisë.
Në një takim me pensionistë të njësisë nr. 2 në kryeqytet, Rama siguroi se mbështetja për këtë kategori mbetet prioritet i qeverisë.
Duke folur për rritjen e çmimit të naftës, kryeministri theksoi se nëse ky trend vazhdon kjo mund të sjellë rritje të çmimeve të ushqimeve.
“Çmimi i naftës befasisht kërceu jashtë çdo lloj parashikimi. Shpresojmë që ai armëpushim 15-ditor, të çojë në një zgjidhje përfundimtare përpara se sa rritja të shfaqet edhe tek çmimet e ushqimeve. Nëse do shfaqet te çmimet e ushqimeve dhe do të jetë diçka me të cilën ne duhet të përballemi, sigurisht që ne gjëja e parë që do mendojmë jeni ju pensionistët”, tha Rama.
Rama theksoi se qeveria po përgatit dhe një skemë të re të bazuar tek karta e shpenzimeve familjare në bazë të shportës.
“Në mënyrë që ato lekë që ata marrin nga taksat e shqiptarëve të shkojnë për familjen, për fëmijët e tyre dhe asnjë lek të mos përfundojë në pijetore apo të mos shkojë në bixhoz dhe kjo është e rëndësishme. Përmes kartës lekët do të shpenzohen me artikujt bazë në çdo lloj dyqani me TVSH, në mënyrë që TVSH-ja të shkojë prapë në buxhet dhe nga ai buxhet të kthehet tek qytetarët”, tha Rama.
Ndërkohë Rama siguroi se do vazhdojë rritja e pagave. “Sot pagat në Shqipëri po rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe në sektorin privat. Sot në sektorin privat në Shqipëri nuk është më pyetja: Sa do të jap rrogën? Po ku do ta gjej personin e duhur që të më bëjë këtë punë”, tha Rama.
Pagat e rritura, sipas tij, shkojnë në favor të shtetit në disa drejtime dhe një nga ato drejtime është që kthehen përsëri në formën e pagesës së sigurimeve shoqërore tek pensionistët.
Sipas tij, “sot Shqipëria është më tërheqëse dhe për investimet e huaja”. /j.p/