Rama: Më 23 qershor, do derdhen votat si shiu për opozitën

Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së, për Beratin pasditen e djeshme, u shpreh i bindur se “Aleanca për Shqipëri Evropiane,” do të marrë 6 mandate në Berat.
“Ky shi që hapi fushatën e skuadrës sonë të Rilindjes në Berat, ashtu dhe votat e 23 qershorit do derdhen nga të 4 anët e këtij qarku për PS dhe “Aleanca për Shqipëri Evropiane,” dhe do i japim Parlamentit të Shqipërisë të paktën 6 deputetë nga qarku i Beratit. Nëse ju e merrni edhe pak me inatin karakteristik beratas i bëjmë dhe 7”, premtoi Rama.
Kryesocialisti Rama, shprehu mirënjohjen për të gjithë ato figura socialiste që kanë kontribuar për qarkun e Beratit, dhe tashmë ndodhen në front të ri si Erjon Brace, apo që nuk është më në lista si Marko Bello, transmeton BW.
“Unë dua në fillim të fjalës time të shpreh disa mirënjohje. Në radhë të parë i shpreh mirënjohjen time të madhe një deputeti të vjetër edhe pse në moshë ë re që disa mandate e përfaqësoi denjësisht popullin e Beratit, dhe sot gjendet në vijën e parë të frontit për Fierin, Erjon Brace. Mirënjohje dhe një tjetër deputeti që edhe pse nuk është në lista ka shërbyer në dy legjislatura, Marko Bellos. Më tepër dua ti shpreh mirënjohje të thelle një njeriu që e kam mik Selman Hoda. Dua ti jem mirënjohës dhe ta siguroj që po mbaron periudha e rezistencës për të mbrojtur Beratin nga qeveria, kryetarin e Bashkisë së Beratit Fadil Nasufi. Me këtë bereqet që paralajmëron ky shi do mbyllet votimi në Berat për PS dhe ‘Aleancen për Shqipërinë Evropiane” që përbën një triumf”, theksoi Rama./Indeksonline/