Rama: Me fletërrufe do drejtoj prishjet e ndërtimeve

Edi Rama po rikthen praktikën bolshevike të denoncimeve e fletërrufeve, përmes internetit, si një mundësi për të vendosur qeverisjen e vet mbi territorin. Kjo praktikë rrënon institucionet shtetërore dhe nëpërmjet riaktivizimit të strukturave të denoncuesve të mirëtrajnuar të regjimit komunist, rrezikon të mbjellë farat e një konflikti të rrezikshëm shoqëror
Kreu i PS-së, Edi Rama, kryeministri i zgjedhur i koalicionit të majtë fitues i ka quajtur kancer agresiv në veprim ndërtimet pa leje në bregdet, duke paralajmëruar një operacion të gjerë. Më tej Rama kërkon që t’i përcillet në zyrën e tij çdo ankesë konkrete kundër abuzuesve. “Ju lutem çdo mbështetje për këtë operacion ose ankesë konkrete për abuzues në veprim aty ku banoni apo pushoni shoqëroheni me “Stop rrënimit”, shkruan Rama. Mirëpo kërkesa e kryeministrit të ardhshëm Edi Rama që qytetarët ti “ankohen” atij konkretisht është parakalim i institucioneve kompetente dhe krijim i strukturave paralele në kontrollin e territorin. Kjo nismë e Ramës synon t‘i shndërrojë njerëzit në denonciatorë që t’i ankohen atij për fqinjët e konsideruar “abuzues” në veprim që sapo të marrë detyrën ka për tu ardhur t’u prishë ndërtimet. Kjo logjikë e Edi Ramës përngjan krejtësisht me logjikën e fletërrufeve komuniste që denonconin tek aparati i Sigurimit të shtetit “abuzuesit”. Më e keqja e kësaj nxitje publike nga ana Edi Ramës është nxitja e konfliktit që rrezikon paqen sociale duke e polarizuar shoqërinë në “ne” dhe “ata”. Si duket, filozofia që njeh Edi Rama është ajo e pinjollëve të bllokut që ngritën një regjim totalitar që amplifikonte anët negative të njerëzve duke i nxitur të denonconin, të spiunonin, të intrigonin dhe sipas shefit të ri të qeverisë ti ankohen atij konkretisht. Afërmendsh Edi Rama do bënte mirë që për çështjet e kontrollit të territorit dhe betonizimin e hapësirave publike të heshte. Ai është përgjegjës për betonizimin e kryeqytetit kur ishte kryetar bashkie për 11 vite duke e dhënë leje ndërtimi vend e pa rend. Reduktimi në minimum i hapësirave të gjelbrat në Tiranë është meritë e filozofisë qeverisëse të Edi Ramës në Bashki. Fatkeqësisht kjo filozofi është transferuar edhe në bashkitë e bregdetit që qeverisen prej vitesh nga socialistët si Lezhe, Velipojë, Durrës, Kavaja, Vlora dhe Sarandë. Mjafton të shihet takimi i fundit që Edi Rama bëri me kryebashkiakët e bregdetit konstatohej fare qartë që ishin hyzmeqarët të kryetarit të Partisë Socialiste. Dhe këta janë përgjegjësit kryesore të ndërtimeve me leje dhe pa leje në zonat e bregut. Por më shumë qesharake ishte fakti që kryetarët socialiste të bashkive iu ankoheshin për ligjin që ju kishte dhënë kompetenca të plota me policinë bashkiake për të prishur ndërtimet pa leje e nuk deshën ta bëjnë, e tani kryeministri i ardhshëm Rama që ju thotë se do t’ju a heq këtë kompetencë e të gjitha kompetencat do t’i ushtroj në zyrën në Tiranë. Sidoqoftë Edi Rama po krijon një diversion me prishjen e ndërtimeve “pa leje” për të lejuar me pas ndërtimin e rezorteve dhe fshatrave turistik nga ardhura nga larja e parave të pista gjoja do të jenë me vulë të Agjencisë së re të Kombëtare të Bregdetit, që do të krijohet në varësi të tij. Ky diversion po merr formë me dhënien e mundësisë së kujtdo për të denoncuar të tjerët për abuzime është një hi syve qytetarëve. Rikthimi i stili të fletërrufeve për të frikësuar dhe ana tjetër për të ndërtuar me kompanitë okulte të 20 deputetëve biznesmen të PS është një rikthim i stili që Edi Rama përdori në Bashkinë e Tiranës. Prishja e Lanës i kënaqi në fillim qytetarët të cilët më pas ishin dëshmitarë të hidhëruar të ngritjes së pallateve në dritaret dhe ballkonet e tyre, apo marrjes së hapësirave publike për të bërë lokale dhe shumëkatëshe.