Rama: Me rritjen e kërkuar, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se e Presidentit

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot lidhur me pagat e gjyqtarëve në Shqipëri, duke kundërshtuar rritjen e mëtejshme të tyre dhe duke e cilësuar nivelin e kërkuar si të jashtëzakonshëm në raport me pagat në administratën shtetërore dhe vendet e rajonit.
Kreu i qeverisë shkruan se paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është aktualisht rreth 280% më e lartë se paga mesatare e administratës shtetërore. Sipas tij, kjo pagë është gjithashtu rreth 60% më e lartë se ajo e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe më e lartë se pagat përkatëse në Kroaci, Bullgari dhe Serbi.
Rama theksoi se nëse do të miratohej rritja e kërkuar, paga mesatare e gjyqtarëve do të kalonte nivelin e pagave të kolegëve në Greqi, Rumani dhe Slloveni.
“Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare të administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi. Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më shumë”, shkruan Rama.
Kryeministri ndalet edhe te raporti mes pagave të gjyqtarëve dhe funksionarëve të lartë të shtetit.
“Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet 1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit”, shkruan Rama.
Sipas tij, “kjo për mesataren e gjithë trupës, se duke marrë nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, aktualisht, është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen?!”.
Kryeministri i cilëson këto shifra si “marramendëse” dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si kërkohet zbatimi i rritjes së pagave.
“Oh, aty pastaj shkon mbi 5000 Euro më e lartë se e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se e ministrit! Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit”, shkruan Rama.
/m.q/j.p/