E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: KLP dhe KLGJ të mbingarkuara me njerëz e paga por me produktivitet që lë shumë për dëshiruar

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish për debatin mbi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku u ndal tek Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për vendimet lidhur me rritjen e pagave.

Në një videomesazh në rrjetet sociale, Rama tha se kërkesa për rritjen e pagave është bërë pa kaluar përmes Parlamentit dhe lidhet me një vendim të marrë nga dy këshillat, që sipas tij “janë dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi”.

“Po shkoj në Berat, sepse kemi këtë ciklin e takimeve, përmbyllëse të konsultimit publik për reformën administrative-territoriale. Dhe ndërkohë, më shkruajnë shumë njerëz lidhur me këtë historinë e çoroditëse të pagave që kërkon trupa e gjykatave dhe prokurorëve të Shqipërisë, pa kaluar nga parlamenti, por duke iu referuar një vendim absurd të marrë nga dy Këshillat që në letër janë organet qeverisëse të pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por që në realitet janë dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi”, u shpreh Rama në nisje të videomesazhit.

“Dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për dëshiruar në aspektin e misionit që kanë, si trupat qeverisëse të sistemit të drejtësisë, i cili është një sistem i vetëqeverisur, sepse është një sistem i pavarur dhe i pavarur jo më në letër, por i pavarur në realitetin faktik të Shqipërisë, ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë”, tha Rama.

Rama e cilësoi si “shqetësuese”, “të shëmtuar” dhe “vulgare” atmosferën e krijuar rreth përplasjes për pagat, duke theksuar se institucionet e pavarura duhet të jenë të parat që japin shembullin e respektimit të ligjit.

“Reforma në drejtësi është, pa diskutim, e duhura. Koha në dispozicion për të transformuar rrënjësisht dhe ngritur një sistem të ri drejtësie duke bërë një transformim kulturor ka qenë e shkurtër, sepse këto nuk janë ndryshime që bëhen sa hap e mbyll sytë, janë ndryshime epokale dhe ky ndryshim epokal ka nisur. Kështu që nuk dua të hyj në këtë, dua të them vetëm se sa shqetësuese, se sa e shëmtuar, se sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur kushtetues që duhet të garantojë barazimin para ligjit për të gjithë, e mbi të gjitha për vetveten, dhe duhet mbi të gjitha, përtej gërmës së ligjit, të garantojë, një shembull, kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik”, tha Rama.

Kryeministri u ndal veçanërisht te KLGJ dhe KLP, duke argumentuar se këto institucione kanë për detyrë administrimin e sistemit gjyqësor dhe jo ushtrimin e drejtësisë.

“Nuk dua ta nis nga shoqatat, nga gjykatësit nga prokurorët, të cilët nuk e di sa janë në drejtë në ty në fakt që të kërkojnë edhe më shumë, edhe më shumë, edhe më shumë nga taksapaguesit, por le të themi që janë një palë që kanë këtë interes.

“Po dua ta nis pikërisht aty ku e fillova tek këto dy trupa këshillash, tek këto dy maja, janë një majë me dy trupa, në fakt e piramidës së sistemit gjyqësor. Tani këta burra dhe gra që paguhen dhe pak dhe që janë aty për të administruar punën gjyqësore, nuk janë aty për të bërë drejtësi, sepse këtë e bëjnë prokurorët dhe gjykatat, janë aty për të administruar punën gjyqësore, janë aty për të administruar proceset që deri dje i administronte Kuvendi, politika dhe që tani janë në pavarësinë e tyre të plotë. Po si mundet që gjëja e parë që bën u kuturisën të marrin një vendim në mes të verës dhe të nxjerrin një urdhër i cili është zanafilla e këtij konflikti absurd. Një urdhër që palët janë këto dhe Thesari i Shtetit duhet të hapi derën që këta të shkojnë dhe të marrin palët”, u shpreh Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›