E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Më shumë hapësira në Europën politike për vendet që po negociojnë integrimin

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga Kotorri, Mali i Zi, ku ishte i pranishëm në punimet e Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, se vendet kandidate për t’u integruar në BE, duhet të përfshihen në të gjitha mekanizmat e nivelit politik e teknik të Bashkimit Europian.

Kryeministri Rama tha se, vendet kandidate janë duke negociuar për të patur më shumë hapësirë në Europën politike, për t’u përfshirë si vëzhgues në të gjitha mekanizmat e nivelit politik e teknik të Bashkimit Europian.

“Na duhet të nisim një dialog politik me Komisionin dhe shtetet anëtare për të përfituar një status të ri për partnerët. Ne po negociojmë, vendet që po negociojnë duhet të kenë hapësirë në Europën politike për tu përfshirë si vëzhgues në të gjitha mekanizmat e nivelit politik e teknik të Bashkimit Europian. Kjo do të jetë, po kështu, një mënyrë për të bashkëshoqëruar atë çka po përpiqemi të përshpejtojmë në terma ekonomike e po kështu njësoj edhe në terma politike”, tha Rama.

Ky takim rajonal po zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin e Rritjes, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›