E Diel, 1 Nëntor 2026

CEO i Presight AI: Nisim menjëherë zbatimin e projektit Smart City

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ CEO i kompanisë Presight AI, Thomas Pramotedham, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për zbatimin e projektit “Smart City” në Shqipëri, theksoi se “ky moment jo vetëm përfaqëson formalizimin e një kontrate, por edhe një partneritet afatgjatë për besim dhe ambicie të përbashkët”.

Në fjalën e tij Pramotedham tha se “Presight AI ka lindur në Adu-Dabi dhe gjatë 10 viteve të fundit Emiratet kanë treguar se si teknologjia mund të mobilizohet në nivel kombëtar dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë, cilësinë e jetës dhe sigurinë”.

“Ne jemi pjesë të ekosistemit të G22, një prej grupeve të Inteligjencës Artificiale kryesuese në botë dhe kemi partneritet me shoqëri të mëdha të teknologjisë dhe Microsoft e tjerë janë aksionerët tanë”, tha Pramotedham.

CEO i kompanisë Presight AI, u shpreh se “fokusi ynë nuk ka qenë asnjëherë eksperimental, por gjithnjë zbatues”.

“Gjatë viteve të fundit kemi ofruar Smart City në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Azinë Qendore, përfshirë Kazakistanin dhe një sërë vendesh në Afrikë. Këto zbatime përqendrohen tek zhvillimi urban, siguria publike dhe qëndrueshmëria dhe e njëjta platformë mund të përdoret për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe për të arritur qëndrueshmërinë mjedisore”, tha Pramotedham.

Sipas tij, marrëveshja e sotme është rezultat i një procesi rigoroz.

“Ne sigurojmë që të zbatojmë diçka që është realisht në përputhje me vizionin tuaj. Do të punojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme për ta filluar projektin menjëherë dhe nga data e parë fokusi ynë do të jetë tek zbatimi, kapacitetet dhe qëndrueshmëria që të sjellim vlerë të vërtetë për institucionet dhe popullin shqiptar”, tha ai.

CEO i kompanisë Presight AI theksoi se “besojmë se projekti Smart City për Shqipërinë do të sjellë kontribut shumë të mirë për vizionin e Kryeministrit Rama për ta bërë Shqipërinë realisht të përqendruar te teknologjia dhe të bëhet anëtare e Bashkimit Europian brenda 2030”.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›