Rama: Në 11 maj populli shqiptar ka shansin që të marrë një vendim përtej partive

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama ishte sot në Lezhë në një takim me të rinjtë, ku prezantoi kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, në 11 maj populli shqiptar ka shansin që të marrë një vendim përtej partive.
“Në momentin që ke një votë, bëhen zgjedhjet, ti mund të kesh një mijë arsye për të thënë që “nuk dua të votoj për këtë qeveri se kështu, se ashtu”, por ama, asnjë nga ato arsye dhe madje të gjitha ato arsye bashkë, arsyet e tua, arsyet e fqinjit, arsyet e dikujt tjetër t’i mbledhësh bashkë nuk kanë peshën e mjaftueshme që ti votën që ke në 11 maj të mos e hedhësh për anëtarësimin sa më parë në BE dhe për të marrë ti personalisht, bashkë me familjen tënde, pasaportën e BE-së”, tha Rama.
Për ata që thonë se, pse kjo është e lidhur me Partinë Socialiste, Rama u shpreh se, “pa hyrë në problematikat e “bufit”, se “bufi” ka problematikat e veta, që janë ndryshe nga të tjerët, s’po hyjmë aty tek problematika të “bufit” që e ka damkën në lule të ballit dhe që nuk e di sesi mund ta imagjinojë dikush që do të ketë të hapura dyert e komunikimit siç i kam unë së bashku me shumicën tonë qeverisëse. Po nuk po hyjmë aty”.
“Po marrim vetëm një element dhe ky është çelësi i gjykimit për 11 majin. Ne kemi që në vitin 1990 që ëndërrojmë të jemi si gjithë Evropa. Kemi që në vitin 1992 që populli masivisht votoi PD-në dhe një pjesë e madhe e atyre që votuan PD-në nuk votuan se donin PD-në si parti, por votuan sepse PD ishte në kohën e duhur dhe në vendin e duhur për të marrë të gjithë atë mbështetje që ishte në fakt vendimi i një shumicë dërrmuese të shqiptarëve për të mbyllur një kapitull të historisë dhe për të hapur një kapitull të ri.”
Dhe, theksoi Rama “ishte një vendim gjeopolitik për t’i dhënë fund marrëdhënieve me një sistem dhe për ti hapur rrugën për të përqafuar një ritëm të ri”.
Sot, nënvizoi Rama, “është e njëjta gjë, që në 11 maj populli shqiptar ka shansin që të marrë një vendim përtej partive”.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, sot situata gjeopolitike është e jashtëzakonshme dhe për këtë arsye janë përputhur yjet e fatit, fati jonë evropian me fatin e Bashkimit Evropian.
“Nga 1992-i e këtej ne gjithmonë jemi përpjekur t’i afrohemi BE-së dhe gjithmonë ju e keni dëgjuar kur dilnin ata mbanin ato fjalimet e tyre, vendi juaj është në BE, një ditë do jeni në BE, perspektiva juaj është në BE, e ardhmja juaj është në BE, por ndërkohë shihni se keni ca detyra për të bërë. Dhe ne i kemi bërë detyrat. Mirëpo ju e keni parë se pavarësisht se ne i bëmë detyrat tre herë rresht, ata vetë, Komisioni Evropian që merret me detyrat, thoshte: “Këta i kanë bërë detyrat, tani hapini negociatat”, çohej një shtet një herë, një shtet një herë tjetër: “Jo, po shiko se janë ca probleme të tjera”. Pra, nuk kishte dëshirë nga ana e atyre që të na hapnin derën dhe të na merrnin brenda vetes, siç ka sot”.
Sot, theksoi Rama, “për herë të parë, që kur jam unë në këtë detyrë, nuk diskutohet, unë besoj për herë të parë dembabaden ata duan që ne të hyjmë në BE dhe të hyjmë sa më parë”.
Rama u shpreh se Bashkimi Evropian ka krijuar respekt për Shqipërinë.
“Ata duan që ne të hyjmë në BE dhe të hyjmë sa më parë, jo se papritur ranë në dashuri me ne, por sepse nga një anë ne i kemi bërë detyrat tona, ne kemi krijuar respekt, që s’kishin asnjë respekt për ne”, tha Rama, teksa shtoi se tani BE ka respekt dhe besim për Shqipërinë.
“Ajo që ka ndodhur sot është ajo që po ndodh me botën, është ajo që po ndodh me Ukrainën, me Rusinë, me Amerikën, me Kinën me të gjitha dhe tani ata duan që ndër të tjera të zgjerojnë BE-në, të marrin brenda anëtarë të rinj. Dhe cilët janë anëtarët e rinj më afër derës me detyrat, me respektin me besimin? Janë dy, Shqipëria dhe Mali i Zi”.
Duke folur për vendet e rajonit, Rama tha se kanë vite në rrugëtimin drejt BE, ndërsa Shqipëria i ka filluar negociatat vitin e shkuar.
“Kalendari që ne kemi në tavolinë të dakordësuar me ata është që t’i mbyllim të gjitha negociatat në 2027-ën, domethënë tre vjet”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “trevjetshi nuk lidhet me faktin që ne jemi të jashtëzakonshëm, lidhet me faktin që situata gjeopolitike është e jashtëzakonshme dhe për këtë arsye janë përputhur yjet e fatit, fati jonë evropian me fatin e BE dhe prandaj ne duhet të tregohemi shumë të shkathët dhe shumë të urtë, të mençur. Nuk duhet ta humbim këtë mundësi! Ajo dera që është hapur, mund të mbyllet”.
/r.e/