E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Të rinjtë përfituesit e drejtpërdrejtë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpjegoi sot të rinjve lezhjanë për përfitimet që vijnë pas marrjes së pasaportës evropiane si studimet, leja e punës, sigurimet shëndetësore dhe pensionet.

Në takimin me të rinjtë në Lezhë ku prezantoi skuadrën e re për Shqipërinë në BE 2030, Rama tha se “nëse sot ju mendoni të shkoni të studioni në vendet e BE-së do të shkoni si studentë të huaj, do të përpiqeni të përfitoni nga kuotat e studentëve të huaj dhe do të keni tarifa shumë të larta se çfarë duhet të shpenzojnë ata që janë pjesë e BE-së”.

“Pra, një student polak që shkon në Spanjë është njësoj si ai spanjolli, me të njëjtat të drejta, sepse është njësoj si të shkosh nga Lezha të bësh universitetin në Tiranë. Ndërkohë një student shqiptar që shkon në Spanjë është student i huaj dhe ata nuk i ndajnë studentët në spanjollë dhe të tjerë, në francezë dhe të huaj, italianë e të huaj, ata i ndajnë në studentë të BE-së dhe studentë nga jashtë BE-së”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama foli edhe për rëndësinë e punësimit kur zotëron pasaportë evropiane.

“Pasi të mbarosh studimet do kërkosh një punë, mund ta kërkosh njësoj siç do e kërkoje në Shqipëri, nëse e gjeni një punë mund të qëndrosh siç mund të qëndroje në një punë në Shqipëri, askush nuk thotë që nuk je i këtushëm, nuk ke leje qëndrimi, leje pune. Të gjitha këto janë automatike menjëherë me atë pasaportën shqiptare të BE-së. E kemi dhe në anglisht nga pasaportë shqiptare në pasaportë evropiane”, tha Rama.

Kreu qeverisë e vuri theksin edhe tek përfitimi i sigurimeve shëndetësore pas pajisjes me pasaportën evropiane.

“Momenti që vendi bëhet anëtar i BE-së dhe çdo qytetar merr pasaportën e BE-së merr edhe një kartë, që është karta e sigurimeve shëndetësore brenda BE-së dhe me atë kartë në çdo lloj dere të shërbimit shëndetësor në çdo lloj vendi të BE-së ti ke të njëjtat përfitime siç i kanë ata që banojnë në atë vend dhe kanë shtetësinë e atij vendi”, tha Rama, duke shtuar se këto janë aspektet drejtpërdrejt personale të anëtarësimit.

Më tej Rama vuri në dukje rëndësinë e njohjes së pensioneve në shtetet e BE-së.

“Ju keni prindër që janë në pension dhe janë në rrugën e pensionit, apo gjyshërit pensionistë edhe ata do marrin pasaportën dhe në momentin që ata që kanë punuar jashtë ose që janë jashtë dhe që duan njohjen e pensionit, po themi në Greqi, se me Italinë e kemi bërë me një sërë vendesh e kemi, por në Greqi është një problem ende sot, ku një pjesë nuk kanë dokumente dhe janë në stresin që ç’do të ndodhë me gjithë këto vite pune, se nëse nuk kemi njohje të pensionit dhe nuk kemi dokumente ne na digjen të gjitha”, tha Rama.

Sipas tij, në momentin që Shqipëria futet në BE ata marrin pasaportën nuk kanë nevojë për dokumentet greke.

“Me pasaportën shqiptare të BE-së qëndrojnë në Greqi dhe automatikisht ju njihen vitet e punës për pensionin dhe mund të bëjnë transferimin e pensionit nga atje këtu dhe nga këtu atje”, tha Rama.

/k.s//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›