E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në PS ka rregulla, kush nuk i di të pyesë Islamin

TIRANE-Kryetari socialist, Edi Rama u ka thënë dje, të rinjve që morën për herë të parë teserën e PS-së, se “PS ka rregulla”. Ndërsa ka qenë duke ndarë kartat e anëtarësisë për disa nga të rinjtë, Rama i ka tërhequr me humor, vëmendjen njërit prej të rinjve në sallë, duke i thënë se “në PS ka rregulla dhe kush thyen këto rregulla të takojë Erjon Braçen dhe t’i kërkojë adresën e Kastriot Islamit, dhe më pas të shkojë në Tiranë e të takojë Kastriotin për të mësuar se çfarë ndodh kur dikush thyen normat dhe rregullat e PS”. Kjo ka shkaktuar të qeshura në sallë, ndërkohë që pas ceremonisë, takimi ka vijuar me anëtarët e asamblesë së PS-së së këtij qyteti.
“Merruni me politikë”, ka qenë ky mesazhi që Rama përsëriti edhe dje, para të rinjve të Beratit, në takimin e organizuar në qendrën kulturore, “Margarita Tutulani”, ku 400 të rinj të këtij rrethi morën teserat e anëtarit të PSSH-së.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kreu i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, drejtuesit vendorë të PS-së në Berat, si dhe deputetët Ermonela Felaj, Marko Bello, sekretari për rininë Erjon Veliaj dhe kryetarja e FRESSSH-it, Elisa Spiropali. Ndërkohë, deputeti Erion Braçe kishte zënë vend më herët në sallë.

Në fjalën përpara të rinjve, kryetari Rama tha se “të merresh me politikë do të thotë që të kërkosh të shërbehesh me dinjitet nga shteti, nga institucionet dhe nga të zgjedhurit ashtu si ti mendon se e meriton dhe për ta fituar këtë shërbim nesër ju duhet të luftoni sot bashkë me ne, dhe ne duam të luftojmë bashkë me ju pa humbur kohë, që e nesërmja të mos i ngjajë të sotmes, por t’i ngjajë shpresave dhe ëndrrave tuaja”. “

Gjatë fjalës së tij, Rama u ka thënë të pranishmëve, se kishte marrë një mesazh nga një ish-i përndjekur, i cili i thoshte se përshëndet nismën e PS-së, për përfshirjen e moshës 75 vjeç në përfitimin e dëmshpërblimit. Pasi u lexoi mesazhin, ai u tha të pranishmëve se: “ky njeri ashtu si të gjithë ata që duan të ndryshojnë diçka të rëndësishme në jetën e tyre, diçka që fillon nga të qenit zot në vendin tënd, në radhë të parë duke pasur dinjitetin që të takon si qytetar, ka kuptuar se pa u marrë me politikë dhe pa gjetur drejtimin e duhur për ta bërë këtë gjë, nuk ka asnjë shans që të marrë atë që i takon”.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›