Rama: Ne e rilindëm mjekësinë! Kryeministri premton se mandatin tjetër do ndërtohen dy spitale të rinj modernë

Për kryeministrin Edi Rama, sistemi shëndetësor sot në Shqipëri ofron shërbim më të mirë për pacientët, falë investimeve të bëra gjatë viteve të qeverisjes socialiste.
“53 spitale të reja. 10 që nuk ekzistonin. 43 që u shembën përtokë dhe u ribënë komplet nga e para me standarde më të larta europiane. E morëm detyrën në një Shqipëri me spitale që ishin ndërtuar në vitet ’60-’70 dhe ishin vetëm arnuar në vitet ’90-2000, një tmerr. Me shtretër lufte akoma, me batanije nga ato ushtaraket me qime si letër zmeril. Banjot me ujë rrjedhje në korridor gjithandej. Ilaçe, harroje. Pajisje për operacione ishin te shekullit të kaluar. Niveli i sterilizimit, mysybet. Infeksionet post operatore më të lartat në Europë”, tha Rama.
Gjatë rubrikës së mëngjesit, ku iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve, Rama nënvizoi se edhe pagat e bluzave të bardha janë rritur, duke u bërë konkurruese me vendet e tjera.
“Kemi mjekë të mirë paguar. 140% më shumë sesa deri dje. Infermierë me 112% më shumë se deri dje. Paguajmë 120 milion euro për të rimbursuar barnat. Kontrollojmë gati gjysmë milion njerëz në vit për shëndetin me analiza falas. Kryejmë 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit dhe 164 lloj testesh laboratorike që deri dje bëheshin vetëm në privat, copë-copë, sa këtej e sa jashtë. Janë kryer 16 milion e 800 mijë ekzaminime me aparatura të fjalës së fundit dhe të gjitha janë falas. Ka plot akoma, por po ndalem këtu duke thënë se Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, ka nisur bashkëpunimin dhe do të njehsohet me Qendrën Spitalore SHIBA në Izrael, që u rankua e 8-ta në botë për 2024 për nivelin e lartë të ekselencës”, shtoi kryeministri i Shqipërisë.
Sipas kryeministrit, falë punës së bërë në dekadën e fundit, por edhe objektivit për të ardhmen për të anëtarësuar Shqipërinë në BE në 2030-ën , Partia Socialiste do të jetë fituese e zgjedhjeve të 11 majit.
/vizionplus.tv