35 kapituj të hapur në gjashtë muaj, Hasani: Integrimi po ecën me shpejtësi. Ambasadori gjerman: Shqipëria shënoi progres

Brenda 6 muajve të parë të këtij viti, Shqipëria do të ketë përfunduar të gjithë procesin e hapjes së negociatave për 35 kapitujt që janë baza e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, shfrytëzoi takimin e komisioneve parlamentare të Europës Juglindore për të theksuar se viti 2030 mbetet objektivi i qeverisë që Shqipëria të jetë një prej vendeve anëtare të BE.
“Më shumë se kurrë jemi më pranë hapit të ardhshëm të integrimit. Katër nga 6 grupkapitujt janë hapur tashmë, në qershor hapim edhe dy të fundit dhe nga fundi i dhjetorit shkojmë në mbylljen e kapitujve të parë të hapur”, tha ministri Hasani.
Mbështetjen për Shqipërinë në rrugën e integrimit e theksuan edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe Gjermania.
“Anëtarësimi në BE nuk ka ecur ashtu siç ishte parashikuar në Procesin e Berlinit, por kjo po vijon dhe po tregohet vullneti i madh i vendeve. Këto aktivitete tregojnë vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve. Këto janë procese komplekse teknike. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ndaj ka edhe detyrimin për të informuar nëpërmjet Parlamentit, partive politike dhe institucioneve. Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndaj ne jemi këtu për t’ju mbështetur më tej në këtë rrugë dhe proces integrimi”, deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.
“Që BE të jetë stabël, duhet të kemi edhe këtë pjesë të rajonit në Bashkimin Europian. Zgjerimi është qëllimi strategjik i yni edhe në kuadër të asaj që po ndodh në Ukrainë. Ne po mbështesim zhvillimin socio-ekonomik, duke ju mbështetur juve në reforma”, u shpreh Andre Rizzo, shefi i seksionit politik në Delegacionin e Bashkimit Europian.
Ambicia e qeverisë shqiptare është që brenda 5 viteve Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE.
/vizionplus.tv