Rama: Në mbledhje u hodhën piketat e qarta për 100 ditët e qeverisjes
Kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka reaguar nëpërmjet profilit të tij në Twitter, pas mbylljes së ditës së parë të takimit informal të qeverisë së re në Shkodër.
Sipas tij, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura janë hedhur piketat e qarta për 100 ditët e para, por edhe për 300 ditët e qeverisë së re, të cilat do të përcaktojnë natyrën e qeverisjes dhe cilësinë e marrëdhënieve me njerëzit.
Mbledhja që do të vijojë edhe të martën konsiderohet simbolike, pasi de juro është e pamundur të merren vendime deri në shtator.
Për herë të parë, qeveria Rama u mblodh në qytetin e Vlorës, aty ku Kryesocialisti u zgjodh deputet për herë të parë. Rama ka zgjedhur ashtu si në mbylljen e fushatës, dy qytetet e Vlorës dhe Shkodrës për të nisur punën e qeverisë së tij të re. Qeveria e majtë pritet të dekretohet më 12 shtator.