E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare: Duan të na shkëpusin nga Evropa

Shkrimtari i shquar Ismail Kadare është vlerësuar në Prishtinë me çmimin ndërkombëtar “Ali Podrimja”,  çmim i dhënë në nder të figurave që i dhanë kontribut madhor letrave dhe kulturës shqiptare.

Në fjalën e mbajtur në ceremominë e zhvilluar për këtë rast, Kadare ka theksuar se do të donte që këtë çmim mos ta pranonte kurrë në jetën e tij.

Jam i prekur thellësisht, sepse ikja e parakohshme e Ali Podrimës ma jep mua këtë çmim. Kjo festë nuk do të ndodhte po të ishte ai gjallë, dhe unë nuk do ta merrja çmimin. Ky titull ka burim një hidhërim, humbjen e një miku tim të shtrenjtë, ka theksuar Kadare.

Gjithashtu Kadare ka prekur edhe çështjen e raportit të Shqipërisë me BE-në. “Janë përpjekur të thonë njerëz të zgjuar por të rrezikshëm se kombi shqiptar ka probleme me Europën. Janë përpjekur ta nxjerrin Shqipërinë nga Europa, ta përndjekin, jo aq sa hebrenjtë, por i ngjan asaj. Më duken absurde këto diskutime – ne jemi pjesë e Europës”, ka theksuar Kadare.

Shkrimtari gjithashtu theksoi se diskutimet nëse kombi ynë është pjesë e Europës apo jo janë absurde. “Ka pasur shpërngulje e dëbime të shqiptarëve, siç qe edhe ajo e para 14 viteve, kur u tentua që gjysmën e kombit tonë ta shpërngulin”, – tha ai, duke nënkuptuar luftën e Kosovës.

Në fjalën e tij, shkrimtari Kadare ka shtuar se kultura dhe letërsia kanë detyrën të ndihmojnë në sqarimin e këtij keqkuptimi (kombi shqiptar, pjesë e Europës). Nuk është luks të jesh europian. Ne i ngjajmë Evropës, ndoshta si pikënisje me ashpërsi, e ndoshta do të përfundojë me butësi ka theksuar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›