Rama: Indeksim dhe rritje progresive e pensioneve, 1.7 miliard euro kostoja në buxhet

TIRANË, 12 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pensionistët do të marrin “pjesën e luanit” në buxhetin e shtetit shqiptar për të katër vitet e ardhshme.
Në një dëgjesë me banorët e Tiranës në Njësinë 5 në Tiranë për projektbuxhetin 2026, Rama foli për rritjen e pensioneve e cila, sipas tij, do të bëhet në mënyrë progresive vit pas viti, duke mos përfshirë këtu indeksimin.
Rama tha se është bërë një punë e madhe për të bërë një projeksion të qartë dhe për të vendosur në buxhetin afatmesëm të gjithë angazhimin financiar lidhur me këtë pjesë që i takon pensionistëve.
Kryeministri theksoi se pensionistët janë kategoria që ka peshën më të madhe në buxhet.
“Edhe sikur t’i marrësh të gjitha pagat e deputetëve komplet dhe t’i çosh deputetët në shtëpi, prapë shuma që del është një pikë në oqean në krahasim me shumën e e përgjithshme që do të paguhet për 730 mijë pensionistë”, tha Rama.
Në këtë drejtim, Kryeministri sqaroi se nga janari do të fillojë rritja e pensioneve me një progresion që do të bëjë ekzaktësisht atë është shkruar në program.
“Sot pensioni urban me vite të plota pune është 27 350 lekë, ndërsa brenda mandatit bëhet 40 mijë lekë, siç e kemi premtuar. Brenda mandatit nuk do të thotë që prisni 4 vjet dhe pastaj në fund do gjejmë mënyrën t’ju themi ‘nuk e bëmë dot. Por është shumë që do të rritet në mënyrë progresive vit pas viti. Çfarë do të merrni në janar 2026 do dyfishohet në janar 2027, do të trefishohet në janar 2028, do të katërfishohet në janarin e 2029 dhe pesëfishohet në janar 2010”, shtoi Rama.
Rritja progresive e pensioneve , sipas tij, vlen edhe për pensionin urban të pjesshëm dhe për pensionin rural.
“Pensioni rural nga 11 500 lekë që është sot do të shkojë në 18 mijë lekë”, shtoi Rama.
Kryeministri sqaroi se kjo nuk ka të bëjë me indeksimin. “Deri më sot është indeksuar pensioni dhe kjo ka ndodhur edhe dy herë në vit. Që sot e tutje pensioni do rritet dhe po ashtu edhe do të indeksohet”, tha Rama.
Vetëm për indeksimin e pensioneve, Kryeministri theksoi se do të shpenzohet vit pas viti një shumë e konsiderueshme.
“Për rritjen e pensioneve dhe për indeksimin vetëm për pensionistët, në 4 vitet e ardhshme do të shpenzohen ekstra 1.7 miliard euro. Kjo është një shumë e jashtëzakonshme për buxhetin e shtetit shqiptar, plotësisht e merituar”, tha Rama. /j.p/
1 nga 11