Rama: Nuk do të ketë negociata për reformën në Drejtësi me PD-në!

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të premte se nuk do të ketë negociatë me PD-në për të shkëmbyer votat për reformën në drejtësi. “Reforma në Drejtësi s’është për t’u negociuar, por për t’u kryer. Është shumë e qartë të gjithë që kthim mbrapa nuk ka dhe kush i bie ndesh Reformës në Drejtësi i bie ndesh të ardhmes së vendit” tha ai. “Kjo është një domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që ka treguar se sa i vyer është për pastrimin e llumit të sistemit të drejtësisë dhe ky proces s’mund të ndërpritet. Reforma në drejtësi është një reformë e bazuar te një partneritet i ngushtë dhe i padiskutueshëm me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE” tha me bindje zoti Rama.
Kreu i qeverisë përsëriti se mbetet ende ftesa për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike “Ndërsa të tjerat janë cështje që patjetër mund të diskutohen, ne jemi gati të diskutojmë cdo gjë me PD-në por njëra me tjetrën nuk kanë lidhje fare” tha pas mbledhjes së sotme të Kryesisë në selinë rozë kryeministri Rama.