E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Nuk do të presim askënd për integrimin, opozita plotësisht e mirëpritur

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin e nivelit të lartë ”Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”, të organizuar nga Kuvendi tha sot se opozita është e mirëpritur në Komisionin e Posaçëm duke theksuar se “nëse forcat e pabashkueshme duan të na bashkohen ne, i presim me krahë të hapur, edhe komisioni, i cili është votuar nga Kuvendi si komision gjithëpërfshirës i ka vendet aty bosh për ata të cilët mund të vijnë të ulen në çdo sekondë dhe të jenë plotësisht të mirëpritur”.

Duke cituar raportin e fundit të Fondacionit Bertelsmann që lidhet me mirëqëverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit Rama tha se në raport thuhej se “një nga 8 shtetet ndër 137 shtete që ndjek Instituti me progres substancial në dekadën e fundit është  Republika e Shqipërisë“.

“Të gjitha këto duan të thonë që ne mund të arrijmë këtë i kemi të gjitha mundësitë të arrijmë, por që të arrijmë këtë duhet të bashkojmë të gjitha forcat e bashkueshme. Por nuk ka këtu përsa do të jem unë në krye të kësaj qeverie dhe për sa kohë PS do të udhëheqë këtë vend duke thënë “Unë nuk vij të ulem”, nuk mund të na pengojnë ne për të shkuar para, ne nuk mund të presim askënd se nuk mund ta presim dot”, nënvizoi Rama.

Në rastin më të keq, vijoi Rama, ne do të presim partnerët tanë në rastin kur janë të bindur që nuk jemi duke fshehur ndonjë gjë, këtë do ta bëjmë se i kemi miq në shtëpinë tonë dhe ju e dini mikut nuk i prishet kurrë, por forcë tjetër ne nuk presim.

“E di që ky është problem, e di që ky është një minus dhe është korrekte dhe ajo që u përmend këtu dhe ajo që përmendet vazhdimisht “Klima politike, bashkëpunimi i forcave politike” është shumë korrekt, por midis dy zgjedhjeve që ne të presim bashkëpunim që ne e dimë që nuk do të ndodhë deri kur do të ndodhë dhe që të humbasim kohë dhe ndërkohë ne të fitojmë çdo minutë dhe gjithmonë të gatshëm për çdo bashkëpunim, ne e kemi bërë zgjedhjen tonë dhe kjo është zgjedhja jonë; të vazhdojmë të thellojmë të gjitha reformat, të thellojmë dhe ta bëjmë të pakthyeshme ndarjen mes pushteteve, të thellojmë dhe ta bëjmë të pakthyeshme rrugën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është një luftë e të gjithë shtetit, jo thjeshtë e një, dy, tre institucioneve, të garantojmë pavarësinë dhe pakthyeshmërinë e pavarësisë të institucioneve të drejtësisë dhe të fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian, e pastaj me siguri mendje më të ndritura, të rinj më të urtë se unë, që nuk jam më aq i ri por nuk urtësohem dot aq sa do të duhej, do të bëjnë më të mirën dhe Shqipëria do të bëhet vendi ku qeveria dhe opozita do të jetojnë të lumtur, por deri atëherë ne duhet të futemi në Bashkimin Europian”, tha Rama.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›