Rama: Nuk kemi pasur kurrë një “plan B” në raport me integrimin në BE

TIRANË, 12 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria nuk ka pasur kurrë një “plan B” në raport me integrimin në Bashkimin Europian.
Rama ishte i pranishëm në firmosjen e marrëveshjes për linjën e re të financimit ndërmjet Bankës Europiane të Investimeve dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, për të mbështetur bizneset e vogla e të mesme.
Kryeministri theksoi se Shqipëria vazhdon të këmbëngulë dhe të presë me padurim të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
“Nuk ka alternativë përkundrejt lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës, pra përpara ligjit. Shqipëria kurrë nuk ka pasur një plan B. Shqipëria kurrë nuk i ka hedhur sytë në një drejtim tjetër. Sepse ne e dimë prej historisë tonë, e kemi mësuar në kurriz që çdo plan i mundshëm B apo C është plan pa liri individuale dhe pa barazi përpara ligjit. E kemi pasur për një kohë të gjatë dhe nuk duam as ta çojmë nëpër mend që mund të bëhemi si në ato kohë. Natyrisht kohët kanë ndryshuar dhe po shfaqen aktorë të tjerë ndryshe, por thelbi është aty”, shtoi Rama.
Sipas Kryeministrit, në këtë proces vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme, por ajo që duhet është njohuria që ofron Bashkimi Europian.
“Bashkimi Europian ofron njohuri që askush në botë nuk i ka dhe ky është bekimi ynë, ky është shansi ynë dhe ne duam të përfitojmë prej tij. Ju po na ndihmoni për këtë gjë dhe dua të sigurohem që ta dini që në fakt keni të drejtë që po na ndihmoni. Ne jemi një vend që ka probleme, por kemi bërë një rrugë të gjatë për të ardhur këtu ku jemi”, tha Rama, ndërsa shtoi se është i vetëdijshëm edhe se ka ende rrugë për t’u bërë derisa vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
/a.f/r.e/