E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk na duhet fuqia e vetos për t’u ulur rreth tryezës së BE-së

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin prestigjioz ndërkombëtar Cernobbio (Itali), ku ishte i ftuar në panelin “Agjenda për Europën”, kushtuar rolit të Mesdheut dhe sfidave të reja europiane e globale nga këndvështrimi i Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama ndau perspektivën e Shqipërisë mbi të ardhmen e Europës, procesin e zgjerimit dhe nevojën për një qasje të re ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Po zmbrapsim kinezët e të tjerë investues potencialë në pritje që Europa të vijë prej dashurisë sonë të pakushtëzuar për Europën. Kjo është thirrja e një të dashuruari. Ne ishim ata nacionalistët, ne ishim ata të marrët e rrezikshëm të kontinentit dhe krejt befas u bëmë kaq në favor të mënyrës shumë kulturore të të parit të jetës, saqë është shumë dëshpëruese të shohësh që të na zmbrapsin”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh në mbështetje të një procesi të integrimit gradual, që do t’u mundësonte vendeve kandidate të bëhen pjesë e politikave, tregut dhe hapësirës europiane përpara anëtarësimit të plotë.

“Nuk besoj se në disa kryeqytete do të kenë aftësinë që të shkojnë e t’i thonë publikut: ‘Njerëz, po e marrim Shqipërinë brenda me kompetencën e saj të vetos’. Kjo është arsyeja pse besoj se integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda në Bashkimin Europian dhe për ta nisur nga pjesa reale e mirëfilltë që është tregu i përbashkët, të qenurit pjesë e Europës së vetme universitare, të shkencës dhe të gjitha elementëve të tjerë shumë të rëndësishme. Pra nuk na duhet fuqia e vetos për t’u ulur rreth tryezës”, shtoi Rama.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një Europe më të bashkuar përballë sfidave të reja të sigurisë, ekonomisë dhe ndikimit të ekstremizmit, duke e cilësuar integrimin e Ballkanit Perëndimor si në interes të vetë Europës.

“Ndërkohë që po derdhim kaq shumë para për armë për të mbrojtur Europën nga raketat, jemi krejtësisht të pambrojtur në trurin tonë dhe të gjithë armiqtë e demokracisë, të gjithë armiqtë e Europës e kanë shumë të lehtë rrugën. Nuk ka nevojë të vijnë me raketa këtu, sepse tashmë po përzihen me mendjet e fëmijëve tanë. Dhe po marrin tashmë peng brezin e ri”, tha Rama.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›