Rama: Opozita në mëshirën e një individi të pashpresë, kontrata e lobimit maja e ajsbergut

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, tha sot se opozita është marrë peng nga një “individ i pashpresë”.
Gjatë një interviste televizive mbrëmjen e sotme, teksa u pyet në lidhje me retorikën gjatë fushatës elektorale kundrejt opozitës dhe kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, Rama shpjegoi se pse e etiketon opozitës si “këneta” apo “bufi i kënetës”.
“Këneta nuk është bullizim. Është metafora e një realiteti shumë konkret dhe shumë të prekshëm. Opozita jonë është kënetë, është uji i ndenjur. Ka mbetur në mëshirën e një individi të pashpresë që e ka marrë peng gjithë opozitën, ndërkohë që mezi lidh fjalitë e veta, për shkak se edhe mosha ka bërë të vetën. Kështu që është kënetë. Ky individ, i cili ka marrë një status në fakt, një status të cilin ia keni vënë të gjithë ju, duke ia pranuar të gjitha llojet e katran me bojërave që nxjerr çdo ditë për këdo që është jashtë perimetrit të kënetës, për mua personalizon ekzaktësisht bufin e kënetës, shpendi që rri në kënetë, që ushqehet me krijesat aty brenda. Sepse ky individ ushqehet me krijesat aty brenda. Prandaj ajo parti, e lindur si parti e shpresës, nuk arrin dot të shpëtojë nga kthetrat e këtij bufi dhe mbetet një kënetë ku, të gjithë ata që janë pak më ndryshe, o gëlltiten nga bufi, u mbyten në ujërat e kënetës”, tha Rama.
Rama theksoi se “primaret ishin shëmbëlltyra më spektakolare e kësaj që po them, si fituesit e primareve u gëlltitën nga bufi dhe u zhdukën nga listat. Nëse do të ishte garë, fituesit nuk do të përfundonin në barkun e bufit dhe nuk do të ishin persona në kërkim, në kuptimin që nuk dihet ku janë, nga pikëpamja politike”.
Nga ana tjetër, Rama e quajti si “korruptive dhe të frikshme” kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA.
Rama tha se, pavarësisht që edhe PS ka bërë të njëjtën gjë në të shkuarën, nuk ka arritur kurrë në shifra si ajo e PD, që sipas raportimeve kap vlerën 6 milionë dollarë.
“Ne si parti e kemi bërë, e kemi bërë dhe ne në një moment të caktuar kur kemi menduar se ka një vlerë të caktuar, por eksperienca na ka treguar se çfarëdo shume parash, megjithëse ne nuk kemi shkuar kurrë, as në imagjinatë në shuma si këto që janë shfaqur ditët e fundit në kontratën korruptive dhe të frikshme në një farë mënyre, sepse është vetëm maja e një ajsbergu dhe ato para tregojnë për një kapacitet deformues të vetë zgjedhjeve dhe nuk kemi parë ndonjë vlerë të shtuar nga kjo praktikë. Nëse sot do të paraqitej një situatë e ngjashme me situatat që na kanë shtyrë asokohe ta bënim, sot s’do e bëja”, tha Rama për A2CNN.
Gjithashtu, Rama e cilësoi “fletërrufe të kënetës” rezolutën e miratuar nga Partitë Popullore Europiane. “Është një fletërrufe e kënetës. E di shumë mirë si funksionojnë konferencat e partive që mblidhen të gjithë bashkë. Një parti aty fut një tekst, është i shkruar fund e krye nga grupi i bretkosave që merren me këtë temë, edhe ata e kalojnë. Por në ndërkohë ju bëj me dije se të gjithë kryeministrat e atyre partive që ishin në atë mbledhje, ashtu sikundër edhe presidentja e KE dhe kryetari i KE, etj., do të jenë në Tiranë më 16 maj. Dhe faktin që vijnë në Tiranë për të mbajtur Samitin e Komunitetit Politik Europian, flet shumë qartë se çfarë është Shqipëria e sotme”, u shpreh kryeministri Rama .
I pyetur se kur do të marrë fund kontestimi i zgjedhjeve në vendin tonë, Rama kujtoi zgjedhjet kur PS fitoi mandatin e parë. “Ato zgjedhje në 2013-n nuk janë kontestuar sepse kush e kishte në dorë t’i organizonte, i humbi dhe nuk kishte çfarë të kontestonte. Por për sa kohë në krye të kënetës do të vigjilojë bufi i kënetës, nuk do të ketë zgjedhje të pranuara në Shqipëri”, tha kreu i PS.
/r.e/