E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: PD në pushtet ndoqi politikë qorre me pensionet, krijoi gropën më të madhe të borxhit

TIRANË, 18 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama akuzoi sot qeverisjen demokratike lidhur me politikën e pensioneve të ndjekur deri në vitin 2014, e cila sipas tij, i krijoi vendit gropën më të madhe të borxhit.

Gjatë debatit në Kuvendit të projektbuxhetit 2025, Rama tha se “deri në vitin 2013 Shqipëria kishte një politikë qorre pensionesh që i shkaktoi gropën më të madhe të borxhit shumëgropësh që ne trashëguam kur ne morëm detyrën”.

“Ka shumë për të thënë për temën e pensioneve, e cila në vigjiljen e ballafaqimit elektoral të vitit të ardhshëm është bërë shesh për përsheshin e lloj-lloj spekulantëve që janë vetëshpallur si shpëtimtarë të pensionistëve dhe kanë nxjerrë në pazar qylymat flutures të Sudes dhe Rrapushit. Herë me fytyrën e rrudhur nga rënia e prej fikut të pushtetit dhe herë me fytyrën me plot oreks për pushtet, këta shitës qylymash fluturues kanë marrë rrugët me një përpjekje të zhurmshme për t’u shitur pensionistëve qylyma dhe shqiptarëve një tufë përrallash të ‘1 mijë e 1 netëve'”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje reformën e pensioneve në vitin 2014, ndërsa bëri një paralelizëm me situatën e pensionistëve para vitit 2013.

“Por ndërkohë që këto Sude dhe Rrapushë do të na ndihmojnë siç kanë bërë në të shkuarën për ta bërë shumë më të qartë dallimin mes ecjes së mëtejshme në rrugën e shtetbërjes europiane të Shqipërisë dhe shkeljes qafëthyese mbi qilimat dhe përrallat e tyre, dua të sjell këtu vetëm një nga shumë faktet e punës së mirë që kemi bërë edhe në këto vite si shumicë qeverisëse për pensionet”, tha Rama.

Rama solli si shembull rastin e mësuesve, mjekëve, ekonomistëve e gjyqtarëve, të cilët para vitit 2013 përfitonin njëlloj sipas një pensioni tavan, ndërkohë që me reformën e pensioneve të vitit 2014 përfitojnë në bazë të kontributeve të derdhura.

“Mësueset me 38 vite pune, të cilat kanë dalë në pension përpara se ne të vinim në qeveri e merrnin pensionin rreth 23 mijë lekë, ndërsa çdo mësues me të njëjtat vite pune që ka dalë në pension pas vitit 2014 e ka pensionin rreth 36 mijë lekë ose 56% më të lartë për të njëjtat vite pune. Një mjek me 40 vite punë i dalë në pension maksimal para 2014 merrte 24 mijë lekë, të gjithë sot marrin 35 mijë lekë falë indeksimit, ndërsa pas reformës së vitit 2014 e kanë pensionin 51 mijë lekë. Njëlloj për gjyqtarët dhe ekonomistët të pensionuar përpara kësaj dekade të qeverisjes sonë, kishin dalë në pension me 24 mijë lekë, ndërsa falë reformës së 2014 e kanë pensionin 53 mijë lekë”, tha Rama.

Rama tha se sistemi i pensioneve financohet nga sigurimet shoqërore e të gjithë të punësuarve dhe jo nga taksat me të cilat mbështeten me pension minimal social vetëm ata që nuk kanë punuar apo nuk kanë derdhur sigurimet shoqërore.

“Prandaj për 360 mijë pensionistë të dalë në pension gjatë këtij 10-vjeçari pensionet si rrjedhojë e reformës së bërë në vitin 2014 llogariten me kontributet e secilit në sigurimet shoqërore dhe dalin më të larta, ndryshe nga çfarë ndodhte me të pensionet para ardhjes sonë në qeveri kur Sudet dhe Rrapushët as nuk i fusnin në hesap kontributet e sigurimeve shoqërore të njerëzve punëtorë të këtij vendi si në çdo shtet demokratik. Ata i kishin rënë shkurt deri në 2013, kishin vendosur një tavan, të cilin sado të kishe punuar dhe kontribuar nuk e kapërceje dot”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›