E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Rritja e pensioneve në mandatin e katërt, pasqyrë e transformimit të ekonomisë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot optimist për një rritje domethënëse të pensioneve në mandatin e katërt, ndërsa theksoi se përdorimi i inteligjencës artificiale do të garantojë formalizimin e tregut të punës.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2025 në Kuvend, Rama u ndal te masat që ka marrë qeveria kundër informalitetit në punë, një fenomen që sjell si rrjedhojë më pak kontribute sigurimesh në arkën e shtetit.

“Ne rivendosëm sistemin e pensioneve mbi bazën e kontributeve. Rritëm me 300 mijë persona numrin e punonjësve kontribues në fondin e sigurimeve shoqërore, i cili është zgjeruar trefish sot nga mbi 400 milionë euro deri dje, në 1.2 miliard euro sot. Sot ne kemi ende rezerva domethënëse si rezultat i rritjes domethënëse të pagave edhe në sektorin privat ku jemi përqendruar tani për të rritur të ardhurat e kontributeve”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te modernizimi i mëtejshëm i sistemit të gjurmimit dixhital të aktivitetit të biznesit, ndërsa shtoi se po krijohet një model i ri i inteligjencës artificiale që po testohet dhe do jetë shumë shpejt 24 orë në punë bashkë me Microsoft.

“Jam shumë optimist se rritja domethënëse e pensioneve do të jetë në mandatin tonë të katërt pasqyra më kuptimplotë e transformimit të boshtit të ekonomisë së Shqipërisë në këto vite të qeverisjes sonë”, tha Rama.

Rama i konsideroi prurës fatkeqësie për rikthimin e vendit mbrapa në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet, të gjithë ata që flasin për një rritje të shpejtë të pensioneve.

“Çdo kush që rreket t’i tundojë sot pensionistët me përrallat e Sudes dhe Rrapushët për t’i ngjitur pensionet në majën e dëshiruar me shpejtësinë e qilimit fluturues, pavarësisht nëse e ka fytyrën komplet të zezë nga bloza e diskreditimit publik, apo e ka të bardhë se nuk ka shkelur një ditë akoma në kantierin e shtetndërtimit, është vetëm një prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi mbrapa në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se deri këtu ne kemi bërë për pensionistët jo gjithçka kemi dashur, por gjithçka kemi mundur”.

“Tanimë që ekonomia në rritje po na krijon mundësi të reja do të bëjmë më tej për ata çka askush jo vetëm nuk e bën dot, por as nuk e ka haberin se si bëhet. Buxheti i ri është manifestimi më kuptimplotë i këtij dallimi”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›