Rama: Pasaporta e BE na bën shtetas me të drejta të barabarta me evropianët

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish pyetjeve të qytetarëve në platformat sociale, në rubrikën “Sy m’sy”.
Një qytetar i ka kujtuar Kryeministrit se pasaporta shqiptare është sot një mundësi për të lëvizur lirisht në hapësirën evropiane, por Rama i ka kujtuar qytetarit se shqiptarët mund të lëvizin në Evropë, por nuk mund të punojnë lirisht, të studiojnë apo të jenë shtetas me të drejta të barabarta si evropianët.
“Është e vërtetë që pasaporta jonë na jep mundësinë të lëvizim lirisht në vendet e BE-së, por s’na jep mundësi të ndalojmë lirisht. Këtë e dinë shqiptarët që kanë lëvizur qoftë dhe njëherë të vetme drejt BE-së dhe që kanë kaluar qoftë edhe njëherë në doganat, kontrollet e pikave të hyrjes në BE, që kanë ndaluar në një aeroport të Italisë, Gjermanisë, Austrisë e me radhë. Aty na thuhet sot e gjithë ditën, dilni pak këtej, ndërkohë që ata evropianet e tjerë ndryshojnë nga ne në një gjë se kanë pasaportën e BE-se, kalojnë lirshëm në një korridor ku janë ato yjet sipër. Ne futemi si shqiptarë paraqitemi përballë një polici, i cili merr pasaportën e sheh në dritë, fillon e hap, na sheh ne, sheh pasaportën dhe bën pyetjet: Ku po shkon, kush të ka ftuar, ke hotel të rezervuar, ke lekë me vete? Sa do rrish? Kur do ikësh? Është e vetmja derë ku troket dhe të thonë kur do ikësh pa të lënë të futesh akoma brenda”, tha Rama.
“Dhe mbasi ne hyjmë brenda, ne duhet të ikim sepse po të duam të qëndrojmë aty o duhet të kërkojmë azil dhe të bëjmë sikur jemi të persekutuar, sikur po vijmë nga Siria, o të rrimë ilegalisht dhe të përpiqemi të punojmë në të zezë sepse leje qëndrimi dhe leje pune nuk na jep dot njeri”, vijoi Kryeministri.
Kreu i qeverisë pohoi se lëvizshmëria në BE është diçka normale dhe për këtë arsye ikin bullgarët, kroatët dhe të tjerët në perëndim.
“Ata ndalojnë aty për të punuar dhe nuk i regjistron njeri, pasi nuk duken gjëkundi si njerëz që kanë ikur nga vendi i tyre dhe do të shkojnë diku tjetër apo ikin italianët e jugut, grekët, portugezët. Ne dalim aty në listë sikur jemi të vetmit që ikim, ndërkohë që lëvizja, mobiliteti, brenda tregut të madh të BE është normë e zakonshme. Kjo do të thotë që me pasaportën e BE-së, që e marrim menjëherë sapo bëhemi anëtarë të BE, çdo shqiptar dhe shqiptare, pavarësisht nga mosha, nuk e pyet njeri a ka lekë me vete a s’ka, a ka ftesë apo jo, mjafton të marri rrugën dhe mund të ndalojë ku të dojë në BE dhe ka të njëjtat liri, të njëjtat të drejta. Mund të trokasë në çdo biznes për të kërkuar punë dhe askush nuk i thotë nga je, nga vjen, por me atë pasaportë është një europian dhe europane që ka shtetësi shqiptare, por që ka edhe qytetarinë europiane dhe mund të ndalojë për punë, studime, pushime etj”, nënvizoi Rama.
Sipas Kryeministrit, me marrjen e pasaportës së BE-së, shqiptarët do të lëvizin njësoj siç nisen nga Shkodra dhe ndalojnë në Korçë, apo nga Saranda në Tropojë.
Një tjetër qytetar i kujton Kryeministrit Rama se “nuk mund t’i ngelë ora te pasaporta, pasi në Shqipëri nuk kanë ngelur më të rinj”.
“Ora nuk më mbeti mua te pasaporta europiane, por ora e historisë së vendit tonë ka qenë gjithmonë e lidhur me pamundësinë për të qenë të barabartë mes të barabartësh në këtë kontinent ku kemi bekimin të jemi në zemër të Europës, ku ata e kanë pasur Shqipërinë si një vrimë ku shqiptarët kanë vuajtur dhe janë poshtëruar historikisht. Dhe sot, ora e historisë sonë ka këtë mundësi, një mundësi historike pasi është hapur dera sepse ne kemi bërë më së miri detyrat tona, por edhe se ata duan të na fusin brenda në shtëpinë e tyre, për arsye gjeopolitike. Nuk mund ta humbim këtë shans, siç kemi humbur shumë të tjerat”, vijoi Rama.
Kreu i ekzekutivit theksoi sërish në përgjigjen e tij, rëndësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, si diçka që shqiptarët e kanë dashur gjithmonë.
“Treni i historisë kalon dhe ndalon, por nuk është si treni që niset nga një stacion në tjetrin dhe ja shohim dhe ja dëgjojmë dhe sirenën. Por, është një tren që e kuptojmë apo nuk e kuptojmë, e besojmë apo nuk e besojmë, e duam apo nuk e duam. Gjithë shqiptarët e duan në mënyrën e tyre secili, e besojmë apo jo, kjo është beteja. Këtë mundësi historike, ne nuk mund ta humbasim duke u marrë me e “lagu se lagu” e duke ngecur nëpër shumë e shumë cepa që ka jeta jonë, kënde të errëta, cepa të papastruar. Ka apo s’ka të rinj në Shqipëri, të informoj që janë mbi çerek milion fëmijë dhe të rritur që shkojnë në shkollë dhe studiojnë në Shqipëri”, cilësoi Rama.
/a.f/