Rama: Primaret në PD, pabesi ndaj demokratëve

TIRANË, 25 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se procesi i primareve në Partinë Demokratike ishte praktika më hipokrite dhe e pabesë ndaj atyre demokratëve që besuan se u erdhi dita që të vlerësohen.
Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama u ndal te procesi i primareve në PD, ku sipas tij, më të votuarit u lanë jashtë listave.
“Nëse unë flas për bufin e kënetës dhe vazhdoj flas patjetër deri në 9 maj që është Dita e Evropës dhe finishi i kësaj fushate elektorale i bie pragut të dëgjojë dera sepse nëse i bie asaj dere nuk hapet. Flas për derën e shumëkujt që i verbuar dhe i shurdhuar vazhdon dhe nuk sheh dhe nuk dëgjon se nuk ka një lider, por ka një buf kënete”, tha Rama.
Sipas tij, PD nuk është një hapësirë demokratike politike por është në një kënete politike dhe kjo është mënyrë metaforike për të treguar se me çfarë kemi të bëjmë.
“Është ujë i ndenjur dhe këtë e tregoi shumë qartë edhe praktika shumë hipokrite, shumë skuthe shumë e pabesë e atyre gjoja primareve. Ca e ca demokratë që besuan se u erdhi dita që të vlerësohen për atë që janë, u zhgënjyen se u përdorën për një propagandë hipokrite dhe u lanë jashtë. Simboli i tyre është fituesi i primareve të Tiranës, kryetari i PD-së së Kavajës. As nuk e njoh as nuk kam dyshim që është kundër meje dhe PS-së, se nuk ka si të jetë ndryshe, por fitoi dhe e hodhën jashtë. Doli i pari dhe nuk gjeti dot vend në listë”, tha Rama.
Rama solli shembullin e vajzave dhe djemve të Forumit Rinor Demokratik të Vlorës që masivisht u shkëputën dhe sot janë bashkë me PS dhe skuadrën e deputetëve ku kanë edhe një person që i përfaqëson, dekanen e Universitetit të Vlorës.
“Kjo për të arritur një qëllim shumë të madh. Ata nuk u bënë socialistë dhe mbase nuk bëhen kurrë socialistë por ata janë pjesë e jona dhe unë jam pjesë e tyre sepse Shqipëria që duam në BE është përtej këtyre ndasive dhe ndarjeve ideologjike dhe historive”, shtoi Rama.
Teksa ju referuar kryedemokratit Sali Berisha, Rama tha se “bufi i kënetës” po lufton për veten dhe po mban peng një forcë politike që lindi si shpresë për shqiptarët.
“Ka apo s’ka të rinj janë mbi çerek milioni fëmijët dhe të rriturit që shkojnë në shkollë dhe studiojnë në Shqipëri. Pastaj ka dhe plot të tjerë, dje isha në Sarandë dhe ishte një kënaqësi e rrallë takimi me një grup prej 50, 60 apo 70 veta ku shumica ishin të rinj, që sapo ishin kthyer me sukses në atë vendin ku kishin qenë dhe po kaq të suksesshëm ishin në sipërmarrjet e tyre. 16 mijë votues ka Saranda na listë dhe ¼ i ka sipërmarrës.
E kuptove i dashur Albert se realiteti është shumë më i ndryshëm nga propaganda dhe këneta e bufit, kënata e atij të mosozotshmit që ka mbetur atje dhe që lufton vetëm për veten e tij dhe mban peng një forcë politike që lindi si shpresë dhe sot është një kënetë e mbaruar dhe kënetat mediatike”, tha Rama.
Më tej Rama u shpreh “unë nuk merrem me bufin, me bufin merreni ju që e mbani akoma aty. Unë konstatoj atë që sheh shumica e shqiptarëve, që në krye të opozitës së ashtuquajtur është një buf kënetë dhe që opozita është e gjithë një tërësi krijesash në një kënetë të madhe politike dhe mediatike, nuk ka të vërtetë tjetër dhe nuk ka falsitet që mbulon këtë të vërtetë, nuk ka pasqyrë të rreme si medemek programi”, tha Rama.
/m.q/a.f/