Rama: Pensioni mesatar në 400 euro

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë një interviste televizive se pensionistët në Shqipëri janë të ndarë në dy blloqe, ata që kanë dalë në pension para 2014-s dhe që kanë pensione më të ulta dhe ata që kanë dalë pas 2014-s dhe reformës së qeverisjes socialiste dhe që kanë pensione më të larta.
Rama tha se para reformës së qeverisjes socialiste në 2014-n për pensionet, në Shqipëri nuk ka pasur sistem pensionesh, por sistem asistence.
Sipas tij, para qeverisjes socialiste ritja e pensioneve nuk bazohej te kontributet dhe nuk të njihej e drejta për të marrë pensione bazuar në kontribute. “Ti tavanin e kishe 24 mijë lekë të reja dhe të gjithë që dilnin në pension merrnin asistencë. Merre sot një mësuese që ka dalë në pension në 2016-n me 35 vite pune dhe një përpara 2013-s me 35 vite pune. Nuk funksionon rritja si rritja e rrogave, se bie shteti. Pensionet duhet të bazohen te kontributet. Të gjithë pensionistët që kanë dalë në pension gjatë qeverisjes sonë kanë pensione dhe 400, dhe 500 euro. Kjo ka ndodhur sepse ne kemi vendosur që kjo del në bazë të kontributeve. Për pensionet e plota e kemi mesataren 300 euro, sepse kemi vendosur sistemin siç e ka gjithë bota”, pohoi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te blloku tjetër i pensionistëve, që nuk janë pensionuar mbi bazën e kontributeve, por kanë mbetur jashtë, plus pensionet e fshatit që janë asistencë, se nuk kanë dhënë kontribute shoqërore.
“Kemi dhënë bonuse, 230 mijë pensionistë kanë marrë rimbursime për ilaçet, për energjinë elektrike. Ne duam që për këta që janë me pension të plotë ta çojmë pensionin mesatar nga 300 në 400 euro, ndërsa ata me pensione të ulta të vendosim minimalin, ku do duhet të futet dhe shteti, pra 200 euro”, tha Rama.
Kryeministri tha se Shqipëria është ulur në një tryezë me BE me 250 mijë faqe ku po negociohet çdo “qime” e lëkurës së shteti, ndërsa opozita ka program dëshirash.
/a.f/r.e/