E Martë, 3 Nëntor 2026

Menaxhimi i mbetjeve, Rama: Botë tjetër me çfarë ishte deri dje

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, tha sot se inceneratori i Sharrës, në Tiranë,  administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ndërsa hodhi poshtë shifrat e përfolura për kontratën e shpenzimeve të inceneratorit.

Gjatë një interviste televizive, Rama theksoi se menaxhimi i mbetjeve është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me të kaluarën.

“Nuk janë as 400, as 150 në realitet. Çfarë është paguar? Shërbimi. Sa i përket strategjisë, jemi ku e ku me ku ishim më parë nga pikëpamja e grumbullimit. Kontratat me këto struktura, kanë një çmim që është qesharak në raport me çmimin real që paguhet në çdo vend të Europës. Sharra administrohet nga Agjencia e Aseteve të Sekuestruara. Ne nuk mund të bëjmë ndonjë gjë më shumë se kaq. Pagesat bëhen për të vazhduar puna nga agjencia shtetërore. Problemi i këtij hotspoti që është Sharra, është shumë i lidhur me procesin. Është diçka që edhe e kemi, edhe nuk e kemi. Tërësia e mbetjeve, është komplet botë tjetër me çfarë ishte deri dje”, deklaroi Rama.

Gjatë intervistës, Kryeministri tha ndër të tjera se, të luftosh korrupsionin, për qeverinë është të ndërtosh reforma, sisteme dhe për Prokurorinë është të gjejë prova.

“U bëra shumë vite në këtë arenë balte, dhe nuk di nëse ka mbetur gjë pa më thënë dhe akuzuar, por të thuash që unë e kontrolloj SPAK-un, duhet të sjellësh një provë sesi e kontrolloj, sepse këto janë hipoteza të gjitha. Secili ngre hipotezat e veta dhe asnjë provë”, tha Rama.

“Unë kam mbi tre mandate, – vijoi ai, – me mbi 60 ministra dhe fakti është të tërë ata që kanë qenë në qeveri me mua dhe pastaj kanë pas probleme me drejtësinë, janë më pak se gishtat e njërës dorë dhe nuk kanë qenë ministra kur kanë nisur të kenë probleme me drejtësinë.”

Rama u shpreh se, “është krijuar një atmosferë-gijotinë, në një kohë që kjo është puna vetëm e drejtësisë dhe SPAK. Të tjerët duhet të diskutojnë mbi fakte, jo të ngrenë hipoteza në ajër”.

“Të luftosh korrupsionin, për qeverinë është të ndërtosh reforma, sisteme. Për Prokurorinë është të gjesh prova”, tha ndër të tjera Rama.

Rama deklaroi se çështjet me ligjin janë çështje të drejtësisë.

“Përgjegjësia politike e PS, e tij dhe e qeverisë është përgjegjësi si e çdo familje që kur një individ bën diçka që i bie ndesh me normat etike, e gjykon, dhe distancohet dhe ky është reagimi politik. Dhe ne për këto çështje kemi bërë ditën dhe natën. U vranë njerëz në bulevard dhe Prokurorja e Përgjithshme nuk thirri dot tre policë, se Berisha u bë mbrojtës i një krimi ku ka dorë vetë, ndërkohë që ne mbajmë atë qëndrim që kemi mbajtur, kjo është një çështje e drejtësisë ne nuk bëhemi mburojë e askujt”, tha ai, teksa nënvizoi se, pjesë e luftës së qeverisë janë reformat.

“Ajo që BE na konsideron në një tryezë diskutimi është se ne jemi të parët në rajon për integritetin e shërbimeve publike, platfoma online, prokurimet dhe shumë të tjerat ndërsa shkeljet individuale e ka prokuroria”, deklaroi Rama.

/r.e/a.f-

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›