Rama: Për 2 javë nis puna për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot nga Thethi se për dy javë do të nisin punimet për rrugën e Dukagjinit.
Në një bashkëbisedim me banorë të Thethit, Rama u shpreh se “është dashur kohë të bëhet projekti”.
“Patjetër që gjërat bëhen sipas mundësive. E kemi nisur punën në krye të këtij vendi kur treçerekun e komunave i kishte partia e atij. E kemi nisur me më pak se 10 miliardë euro Prodhim të Përgjithshëm të Shqipërisë. E kemi sjellë në 27 miliardë e diçka më shumë, duhet ta çojmë në 35 miliardë. Pse duhet ta çojmë në 35 miliardë? Sepse na duhen më shumë fonde për të financuar më shumë gjëra. Si vijnë fondet? Nga vijnë fondet? Fondet vijnë nga investimet”, tha Rama.
Sipas tij, “njerëzit duhet të investojnë dhe shteti duhet të mbledhi më shumë të ardhura”.
“Rrit ekonominë, të rrisësh mundësitë, të rrisësh fondet. Ky është thelbi dhe të gjitha shtetet e botës, demokratike ose jo demokratike, bëjnë garë kush sjell më shumë investime të huaja. Në Shqipëri dalin lloj-lloj sharlatanësh, delirantësh, ekstremistësh, sa të majtë e sa të djathtë dhe thonë: ‘Nuk duam investime të huaja, nuk duam të huaj në Shqipëri, nuk duam të shesim Shqipërinë'”, tha Rama.
“Kujt po ja shesim Shqipërinë? Kur, ku, si, kush po e blen Shqipërinë? Pse ata që janë në investimin e shumë diskutuar të Katarit që sot kanë blerë çerekun e Parisit, kanë marrë Francën me vete në Katar. Si funksionon? Kur rrit mundësitë i vjen radha edhe rrugës së Dukagjinit. Tani me siguri ka rrugë të tjera që janë radhë më mbrapa. Do vijnë dhe ato. Kështu që, rrugën e Dukagjinit do ta fillojmë edhe do ta bëjmë bukur”, shtoin Rama.
/a.f/