Rama: Përvjetor në orë të vështira, Shqipëria në udhëkryq
Tensioni në prag të vendimit të sotëm të Kolegjit Zgjedhor për mandatin e Tiranës ka qenë pikënisja e fjalimit të djeshëm të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Teksa uroi 20 vjetorin e themelimit, ai konstatoi se ky përvjetor përkon me një orë të vështirë për Shqipërinë. Në vlerësimin e Ramës është ora e një sfide të madhe mes dy vizionesh të ndryshme për vendin, njerëzit, politikën. “Ora e një udhëkryqi posaçërisht të vështirë, që ndahet në dy rrugë, ku do të kalojë sot e ardhmja e vendit. Ora e një zgjedhjeje të qartë mes Shqipërisë që kemi, drejt së tatëpjetës ku përditë humbasin vlera e mundësi dhe Shqipërisë që duam, drejt majës ku duhet të ngjitemi, për të prekur qiellin e Europës së Bashkuar”, insistoi Rama. Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e ditëlindjes së partisë kryesore të së majtës, Rama sqaroi se në këtë përvjetor të njëzetin të sajin, Partia Socialiste ka të gjitha arsyet të ndihet krenare për faktin se, kështu si sot, është pozicionuar vijimësisht në anën e duhur të historisë. Duke iu rikthyer historisë së Partisë Socialiste, kreu i saj u ndal posaçërisht vetëm te një prej themeluesve, shkrimtari Dritëro Agolli. “Ndihem i privilegjuar të falënderoj me mirënjohje e respekt të thellë për gjithçka njeriun që pikërisht në orën e lindjes së kësaj partie, njëzet vjet më parë, mbajti një fjalim shembullor mbi kurajën për të qenë në anën e duhur të historisë, mikun tonë të shtrenjtë, Dritëro Agollin!”, vlerësoi Rama. Duke pranuar se në ditëlindje, dita dhe zakoni e do të thuhen vetëm fjalë të mira, ai shtoi se në çdo ditë ka disa fjalë të mira që s’mund të mos thuhen për Partinë Socialiste. “Ne jemi një parti që bëjmë gjithnjë gjënë e duhur për interesin kombëtar. Ne jemi një parti që i respektojmë të gjithë shqiptarët si qytetarë të barabartë në liritë e të drejtat e tyre. Ne jemi një parti që jeton duke u munduar të ndryshojë për mirë, që të ndryshojë për mirë Shqipërinë”, u shpreh Rama. Ai gjeti rastin të shprehë mirënjohje e respekt për të gjithë ata burra e gra që në këta njëzet vjet kanë kontribuar që Partia Socialiste t’i meritojë në çdo ditë fjalët e mira. Historia e familjes sonë politike, tha ai, është një histori plot ngjarje interesante nga më të ndryshimet, ku dritat, po edhe hijet e një rruge të gjatë njëzet vjet, dëshmojnë në radhën më të parë se në Partinë Socialiste nuk ka munguar asnjëherë liria. “E pikërisht përmasa e lirisë me të cilën jeton çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe e bën të madhe edhe forcën tonë për të rezistuar sot, si opozitë, ndaj çdo sulmi që i bëhet lirisë së çdo qytetari dhe për të ofruar nesër një qeverisje të mirë të bazuar te fuqia transformuese e lirisë. Mirënjohje e respekt po ashtu për të gjithë aleatët tanë në opozitë, të cilëve u urojmë çdo të mirë e sukses”, nënvizoi Rama. Në përfundim të fjalës së tij, Rama ngriti një dolli për nder të të gjithë anëtarëve, mbështetësve dhe votuesve të Partisë Socialiste, ndërsa nuk la pa përmendur edhe përfaqësuesit në çdo nivel, aleatët opozitarë dhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Gjithsesi në fjalimin e Ramës nuk ka patur deklarata për eksponentë të caktuar të Partisë Socialiste, që kanë themeluar atë dhe as për kryetarin historik Fatos Nano.