E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët urojnë socialistët për përvjetorin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, nuk ka qenë në ditëlindjen e Partisë Socialiste, por ambasada amerikane duket se është përfaqësuar me zëvendës ambasadoren Deborah Jones, e cila ka mbërritur vetëm në ceremoni dhe është parë vetëm për pak momente në festë. Më i rregullti në kategorinë e diplomatëve ka qenë shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi, i cili ka mbërritur që në fillim. Sequi është parë në një tavolinë me deputeten e Partisë Socialiste Valentina Leskaj, ndërsa ka bashkëbiseduar edhe me shumë figura të tjera të selisë rozë. Në mes të ceremonisë në sallë ka hyrë edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, i cili i është bashkuar kolegut të Bashkimit Europian. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe bashkëshortja e tij Linda kanë përshëndetur diplomatët e pranishëm duke trokitur gotat e verës dhe shkëmbyer urimet e rastit. Ndërsa Wollfarth është larguar herët nga ceremonia, ambasadori Sequi ka respektuar deri në fund aktivitetin, duke u larguar nga holli i hotelit në minutat e fundit. Diplomatët e tjerë të akredituar në Tiranë nuk janë parë të mbërrijnë në ditëlindjen e Partisë Socialiste. Prezencën e ambasadorëve e ka përshëndetur në fjalën e tij edhe kreu i selisë rozë, Edi Rama, i cili shprehu falënderim për angazhimin e tyre në situatën politike në vend. “Lejomëni që në fund të kësaj fjale të ngre shëndetin e të gjithë anëtarëve, mbështetësve, votuesve të shumtë të Partisë Socialistëve, përfaqësuesve tanë në çdo nivel, aleatëve opozitarë e miqve e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilëve gjithashtu u shprehim sot mirënjohje e respekt për gjithë sa bëjnë në mbështetje të vendit tonë”, u shpreh Rama. Pak ditë më parë lideri i opozitës i bëri thirrje diplomatëve perëndimorë të akredituar në Tiranë, por edhe atyre në Washington dhe Bruksel, që të ndërmjetësojnë për të garantuar një ekspertizë ndërkombëtare mbi procesin e zgjedhjeve në Tiranë. Një thirrje e tillë synonte kryesisht përfshirjen në lojë të Komisionit të Venecias, i cili mund të këshillonte Kolegjin Zgjedhor për ankimimin e bërë nga Partia Socialiste dhe opozita. Ambasadorët deri më tani janë shprehur vetëm përmes një deklarate të përbashkët të bërë pas vendimit të Kolegjit që rrëzoi ankimimin e parë të bërë nga socialistët. “U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”, u shprehën ambasadorët. Në të njëjtin reagim ata kërkonin që ky zë i qytetarëve tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›