Rama: Po plotësojmë infrastrukturën në shërbim të turizmit, kemi aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë

TIRANË, 29 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar në Samitin e Euronews 2026, ku u ndal te zhvillimi i turizmit, investimet dhe potenciali që ofron vendi në këtë drejtim.
Rama tha se “tani mund t’i tregojmë botës se cilët jemi në të vërtetë përtej stereotipive që na kanë përndjekur për një kohë të gjatë”.
“Synimi ynë është bota. Ne po punojmë në bazë të një plani, por ajo çfarë kam mësuar nga e gjithë kjo betejë është që në fund të fundit për të ndryshuar emrin duhet të ndryshosh vetveten dhe kjo është ajo çfarë po bëjmë. Shqipëria është një prej vendeve më të sigurta në Europë, është një vend ku cilësia e diellit është shumë më e lartë se e Brukselit. Kemi ushqim jashtëzakonisht të shijshëm dhe njerëz shumë mikpritës. Kemi dy dete, kemi nëntë lumenj dhe të gjitha llojet e maleve të mrekullueshme. Ndaj kaq shumë larmi saqë brenda një jave mund të përjetosh kaq shumë gjëra, dhe kjo është ajo çfarë njerëzit po duan gjithmonë e më shumë”, shtoi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te rritja e numrit të turistëve dhe zgjerimi i hartës së vendeve prej nga vijnë.
“Ne po zbulojmë se të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në këtë rritje. Kur nisëm këtë udhëtim transformues numëronin 2 milionë turistë dhe kjo shifër përfshinte dhe çdo shqiptar që dilte apo hynte në vend. Ndërkohë që vitin e kaluar përfunduam me afro 12 milionë të huaj. Mes tyre jo vetëm europianë, por edhe japonezë, amerikanë, amerikano-latinë, australianë, kinezë, izraelitë, vizitorë nga Lindja e Mesme. Është një turmë shumë e larmishme”, shtoi Rama.
Duke u ndalur tek infrastruktura, Kryeministri theksoi se “ne nuk kemi infrastrukturën më të mirë në Europë dhe sigurisht që në Bruksel infrastruktura është më e mirë”. Por, sipas tij, është më mirë të vish në Shqipëri me një infrastrukturë më pak të mirë sesa të vish në Bruksel me infrastrukturë më të mirë.
“Nga ana tjetër kemi një aeroport që për të pestin apo të gjashtë vit është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë. Me gjithë respektin për fqinjët tanë, i kemi lënë pas për të pestin e të gjashtin vit jo në shifra relative, por absolute. Kemi lënë pas aeroportin e Beogradit me disa milionë përpara, që ka qenë një aeroport i madh rajonal në kohën kur ne ishim një aeroport i vogël”, shtoi Rama.
Po ashtu sipas tij, së shpejti do të hapet aeroporti i ri në Vlorë dhe po punohet për një aeroport të tretë në jug që do të jetë sezonal. Ndërkohë, Rama tha se një aeroport i katërt është në zonën malore, por nuk po funksionon akoma siç do të donin.
/j.p/r.e/