Rama: Po shohim mundësinë e një linje direkte ajrore me Selanikun

TIRANË, 3 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se do të shihet mundësia e vendosjes së një linje direkte ajrore Tiranë-Selanik, që do t’i vinte në ndihmë komunitetit shqiptar atje.
Gjatë takimit me shqiptarët e Greqisë të organizuar sot në Selanik, Rama solli në vëmendje disa nga investimet në infrastrukturë që shkurtojnë distancat mes dy vendeve, ndërsa pranoi se sërish distanca mbetet e konsiderueshme.
“Është e vërtetë që distanca është, sado që është përmirësuar lidhja. Do të hapet shumë shpejt dhe më në fund pas shumë vitesh, për arsye të problematikave që ka pasur, edhe rruga Qukës-Qafë Plloçë. Po bëhet edhe një punë e madhe për Korridorin 8, i cili po zgjerohet, por prapë distanca mbetet e konsiderueshme”, tha Rama.
Për sa i përket shtimit të linjave ajrore, Rama tha se qeveria është duke diskutuar edhe me “Air Albania”, që ka një plan të ri investimi dhe shtrirjeje.
“Këtë çështjen e Selanikut do ta diskutojmë. Ata do të bëjnë vlerësimet e tyre sa kapacitete do të garantonte kjo, se nuk mund të vihet një linjë vetëm për pedagogët, por besoj se ka të tjerë që po të kishte një linjë do të vinin me kënaqësi në Shqipëri, kështu që do ta shohim”, tha Rama. /j.p/