Rama: Po studiojmë uljen e moshës për dënimin penal dhe ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot në Ministrinë e Arsimit, një takim me ministren Mirela Kumbaro dhe drejtues të gjimnazeve të Tiranës në lidhje me protestat dhunshme të zhvilluara ditëve të fundit në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se qeveria po shqyrton mundësinë e uljes së moshës për përgjegjësi penale si dhe ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
“Unë nuk jam i idesë që për të miturit përgjigjja e vetme është ajo që po bën sot Evropa, vendet e Bashkimit Europian që janë në këtë goditje, ulja e ndryshimit të natyrës së ë së qasjes ndaj përgjegjësisë penale dhe ulja e moshës. Është një opsion që ne do ta studiojmë, po e studiojmë dhe do ta shohim nëse do duhet ta ulim moshën për dënimin penal, siç thashë, po e bëjnë një sërë vendesh, por ky është përsëri instrumenti i forcës së shtetit, ndërkohë që na duhet instrumenti i këmbënguljes së shtetit për të afruar njerëzit e dalë nga rruga e ligjit dhe të ikur në drejtim të paditur dhe familjet që i kanë këta fëmijë.
“Tani, përveç kësaj, natyrisht që po studiojmë edhe eksperienca të tjera. Është koha për t’i dhënë një përgjigje pyetjes a duhet, dhe unë jam i bindur që duhet, por si do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16 vjeç, dhe nga ana tjetër, si do ta adresojmë gjithë këtë masë agresorësh të jetës së njeriut, të dinjitetit të njeriut, të cilët përmes rrjeteve sociale kërcënojnë, terrorizojnë, ofendojnë, i marrin qetësinë familjeve” tha Rama.
Krreu i qeverisë theksoi gjithashtu se po punohet për një paketë masash që synon jo vetëm ndëshkimin e personave që shkaktojnë dëme, por edhe vendosjen e përgjegjësisë financiare për riparimin e pronës publike dhe private.
Rama u shpreh se personat që dëmtojnë pronën publike duhet të paguajnë për dëmet e shkaktuara, ndërsa theksoi se përgjegjësia duhet të shtrihet edhe te familjet e të miturve të përfshirë në akte të tilla.
“Jemi duke punuar intensivisht për të përgatitur një paketë masash. Një paketë masash të natyrës jo thjesht penale, por të natyrës administrative, sepse kush shkatërron duhet të paguajë. Kush dëmton pronën e tjetrit, kush dëmton pronën publike, kush shkul pllakat e trotuareve që shtrohen me paratë e taksapaguesve të këtij qyteti, dhe kush detyron dhe i imponohet bashkisë së qytetit, i imponohet qeverisë, që çfarë ka planifikuar për ta çuar për shkolla, për ta çuar për çerdhe, për kopshte, duhet ta çojë për riparime, duhet të përndiqet nga hija e shtetit që i vjen pas dhe i kërkon deri në fund 1 më 1 dëmshpërblimin”, tha Rama.
Rama u shpreh se prindërit duhet të jenë pjesë e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre. Ai përmendi gjithashtu vendimet e gjykatave për mbikëqyrjen prindërore në disa raste që përfshijnë të mitur.
“Nuk e di a e keni vënë re, po e para gjykata, edhe pse në këndvështrimin tim kalon shumë për të dëshiruar, i ka konsideruar të gjitha arrestet të ligjshme. Që të gjitha, pavarësisht nga, domethënë të gjitha ndalimet e policisë. Nuk kemi pasur asnjë rast kur gjykata, që e përsëris, kalon shumë për të dëshiruar në këtë moment, kur duhet të tregonte me kurajë forcën e ligjit deri në fund, por edhe gjykatësit janë të kompleksuar nga terrori dhe nga trysnia e madhe e kësaj force të vepër, i kanë konsideruar të gjitha ndalimet e policisë të ligjshme. Dhe një numër jo i vogël i tyre, kanë qenë ndalime të miturish, për të cilat gjykata ka dhënë vendim të mbikëqyrjes prindërore. Mbikëqyrja prindërore është një është një koncept i kodit penal të Republikës së Shqipërisë. Prindi ka përgjegjësinë e vet.
“Ministrja tha, se ne jemi të vetëdijshëm që në kushte të caktuara, në familje me një status të caktuar social, prindërit kanë nevojë të ndihmohen dhe ata për të kuptuar se çfarë po bëjnë, por prindërit nuk do të mbeten jashtë kësaj përgjegjësie dhe prindërit do duhet të jenë pjesë e përgjegjësisë për të paguar dëmet që bëjnë fëmijët e tyre. Kjo nuk mund të jetë kështu. Është i mitur dhe s’mban asnjë përgjegjësi”, tha ai.
/m.q/j.p/