E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas marshimit protestuesit mblidhen te Ministria e Arsimit, Sindikata e Universiteteve: Bojkot të mësimit

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Pedagogë dhe studentë pasi qëndruan për rreth 3 orë përpara Kryeministrisë marshuan në rrugët e Tiranës dhe u grumbulluan përpara Ministrisë së Arsimit.

Protestuesit kanë qëndruar para ministrisë dhe nuk raportohen hedhje gurësh apo lëndësh piroteknike si ka ndodhur në grumbullimet e mëparshme.

Gjatë ditës së sotme Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) iu bashkua studentëve, të cilët po protestojnë prej 7 ditësh në Tiranë.

Gjithashtu nga ana e pedagogëve është bërë edhe një peticion, ku kërkojnë që të dëgjohen kërkesat e studentëve.

Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), Aleksandër Kovaçi tha në një prononcim për mediet se “kushtet e krijuara na bëjnë që kryesia e Sindikatës ta zhvillojë mbledhjen edhe në protestë”.

“Duke parë situatën e bojkotit nga ana e studentëve dhe vazhdimin e protestës së tyre Kryesia e Sindikatës deklaron përkrahjen e bojkotit nga gjithë anëtarët. Trupa akademike është në dispozicion të studentëve me anë të grevës nëpërmjet bojkotit të mësimit. Do jemi këtu çdo ditë kjo është zyrtare nga Sindikata”, tha ai.

Kovaçi iu bëri thirrje publike të gjithë pedagogëve që të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 përpara Universitetit Politeknik dhe të mbështesin protestën e studentëve.

Ky vendim i SPUSH mund të sjellë edhe ndërprerjen e mësimit në auditoret e universiteteve në kryeqytet.

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›