E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Po të ishte marrë me opozitën, Drejtësia do të ishte marrë me të vrarët e 21 Janarit

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se Reforma në Drejtësi u bë nga Partia Socialiste.

Në takimin me asambletë socialiste të Kamzës dhe njësive 7 dhe 10, Rama tha se kjo mazhorancë i ka dhënë drejtësisë pavarësi.

“Jemi vënë në gatishmëri për të ndërtuar këtë shtet me pushtete të ndara dhe me një drejtësi të pavarur”, deklaroi ai.

Rama iu përgjigj edhe akuzave të ditëve të fundit që Drejtësia në Shqipëri është bërë nga Sorros.

“Si e bëri Soros? Thonë: “Futi Sorosi në burg liderin e opozitës”. Një miliarder ia kushtoi jetën kapjes së bufit të kënetës në Shqipëri!”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama iu përgjigj edhe qëndrimeve se Drejtësia po merret vetëm me mazhorancën, teksa theksoi se është normale që Drejtësia të merret me mazhorancën, pasi ajo po qeveris. Ai deklaroi se realisht me opozitën nuk është marrë, pasi nëse do të ishte marrë me opozitën do të ishte marrë me të vrarët e 21 Janarit.

“Habitem kur kërkojnë hesap sikur të kanë kapur në faj pse ke bërë një reformë të tillë. Ne e dinim se me kë do të merrej drejtësia, se ne jemi në pushtet. Me kë do të merrej drejtësia, me të vdekurit apo kënetën. Me kënetën nuk është marrë me gjënë e madhe. Nëse ka një gjë për t’u marrë me kënetën, është gjaku që është në kënetë nga vrasja e njerëzve të pafajshëm”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sa i përket veprimit të Drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, po bëhet bëhet shumë zhurmë dhe po krijohet perceptimi sikur gjithkush është i përfshirë.

“Për shkak se bëhet shumë zhurmë, krijohet perceptimi sikur këtu “plasi peshku”. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Këtu ka filluar pastrimi. Është një lloj spektakli me jetën e njerëzve”, tha Rama.

Ai risolli në vëmendje akuzat e opozitës për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, për të cilin tha se i është nënshtruar një operacioni të vështirë në zemër dhe më pas ka kaluar në ndalesë të funksionimit të mushkërive, duke u futur në frymëmarrje të drejtuar.

“Ditë të tëra mjekët nuk thoshin nëse do të kthehet prapë. Nxorëm njoftim. Po ku do të dijë kjo kënetë e madhe për njeriun. Deklaronin u arratis nga Drejtësia, i morën laptopin, vajti BKH, SPAK. Vazhdojnë bëjnë debate nëse ka ndodhur apo jo”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri Edi Rama deklaroi se juristë të Kongresit Botëror të Ligjit e kanë cilësuar si “unikale”, punën e bërë nga qeveria shqiptare me sistemin e drejtësisë.

Rama informoi se ekspertët e këtij Kongresi, i cili në 2027-ën do të mikpritet nga Shqipëria, do të shoqërojnë procesin e reformimit të drejtësisë dhe do bëjnë një raport në fund të procesit të negociatave, do t’i dorëzojnë një raport BE për të nxituar ratifikimin e vendeve anëtare.

“Na dhanë kandidaturën për Kongresin Botëror të Ligjit dhe aty thoshin që kjo që ka bërë Shqipëria është unikale, në aspektin e kurajos dhe të vullnetit politik. Trupa e Kongresit Botëror të ligjit që janë njerëzit me reputacionin më të lartë ndërkombëtar në fushën e ligjit, do ta shoqërojnë këtë proces dhe do bëjnë një raport në fund të procesit të negociatave, do t’i dorëzojnë një raport BE për të nxituar ratifikimin e vendeve anëtare, vetë ata, pa ia kërkuar”, tha ai.

Rama tha se për hartimin e një raporti të tillë ishte vënë sot në dijeni.

“Sot ma përcollën. Sot për sot ky është një proces me lëkundje, me luhatje, me gabime, me faje po të doni ju, me shkelje, por në pikturën e madhe, përveç gjërave shumë pozitivie që kanë ndodhur, është gur themeli për të pasur një pushtet drejtësie të pavarur, por edhe profesional, por edhe garant të lirive dhe të drejtave, pra një drejtësi europiane dhe do kërkojë kohë”, deklaroi ai.

Habitem, shtoi ai, që të të kërkojnë hesap sikur të kanë kapur në faj pse ke bërë një reformë të tillë.  /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›