Berisha: Të regjistrojmë çdo shqiptar për 11 majin

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim virtual me diasporën shqiptare, njëkohësisht në 62 qytete të ndryshme të botës.
Berisha bëri thirrje në fjalën e tij që të regjistrohet çdo shqiptar në diasporë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Berisha theksoi se, “janë organizuar 150 takime zyrtare dhe qindra e qindra të tjera informale, në një mision për t’u mundësuar qytetarëve shqiptarë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votimit në Shqipëri”.
Berisha garantoi se PD do të bëjë gjithçka për një rikthim të butë të shqiptarëve nga diaspora në atdhe.
“Një sistem pesëvjeçar pa taksa për secilin prej jush dhe jo vetëm kaq. Një mbështetje për strehimin dhe nevojat e tjera, pra do bëhet gjithçka për një soft landing, për një kthim të butë dhe të suksesshëm tuajin në Shqipëri”, tha Berisha, i cili shtoi se do të marrë fund diskriminimi.
“Ato bonuse që do të jepen për fëmijët e lindur, ato bonuse do të jepen për shqiptarët që lindin kudo në botë. Do të bëjmë gjithçka me ata, që për shkak të pozicioneve që kanë nuk kthehen dot, të kontribuojnë kudo që janë, online”, tha ai.
“Unë llogaris shumë pjesëmarrjen tuaj si kusht për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore, e Shqipërisë epiqendër e teknologjive të fundit në rajon dhe më gjerë”, iu drejtua Berisha shqiptarëve në diasporë.
Natyrisht, shtoi kreu i PD, “prioritet absolutisht i parë do të jetë paketa e shpallur kundër varfërisë ekstreme, largimi i saj tre muajt e parë; Paketa fiskale për biznesin; Taksat e ulëta; Tërheqja e investimeve të mëdha të huaja”.
Pas kësaj, theksoi ai, “ambicia jonë është Shqipëria Madhështore. Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria ku ju do të ndërtoni ëndrrën tuaj, Shqipëria me digjitalizimin më të thellë, e inteligjencës artificiale, e blockchain, e internetit 3, e datacenter-eve dhe një Shqipëri pra, që ecën me hapin e kohës”.
Gjithashtu, Berisha u shpreh se, Bitcoin do të jetë një monedhë e përdorur lirisht sipas rregullave më transparente.
“Programi ynë parashikon Bitcoin, Blockchain dhe natyrisht formalizim dhe legalizim sipas rregullave më transparente”, tha Berisha, duke shtuar se, “Bitcoin do jetë një monedhë e përdorur lirisht, natyrisht në transparencë dhe rregullat e përcaktuara nga autoritetet e mbikëqyrjes financiare të kriptomonedhave, autoritet që do të ngrihet për këtë qëllim”.
Berisha gjithashtu theksoi se, do të shumëfishohen zyrat konsullore në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.
“Ju garantoj se do të shumëfishohen zyrat konsullore në të gjitha vendet ku jetoni. Ne do të zbatojmë praktikën më lehtësuese për këto shërbime dhe ky është një shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur nga ju”, tha Berisha.
Po ashtu, kreu i PD, u shpreh se, “Miçigani do të ketë konsullatë shqiptare edhe për kontributin që dha për fitoren e Donald Trump”.
Një tjetër premtim i Berishës në takimin me shqiptarët në diasporë ishte se “nuk do të ketë rrugë me pagesë në Shqipëri dhe do të ulet dhe çmimi i naftës”.
“Ju garantoj se nuk do të gjeni taksa rrugësh, as në Kalimash e as në ndonjë zonë tjetër. Pse unë jam kundër taksave të rrugës, vetëm një shpjegim: Sepse shqiptarët sot, të dashur miq, udhëtojnë me koston më të lartë në Europë për shkak të çmimit të naftës dhe taksave të rrugëve. Do të hiqen. Ata paguajnë një taksë, e cila do të ulet shumë, me të cilën duhet të mirëmbahen rrugët. Por ajo taksë nuk përdoret për mirëmbajtje, por për qëllime krejt të tjera. Sikundër Rruga e Arbrit, pa diskutim që do të përfundojë dhe nuk do të ketë asnjë pagesë. Ne e nisëm dhe ne do e përfundojmë”, tha ai.
/r.e/