Rama: Presidenti Trump ka bërë që Europa ta shohë veten me të gjitha dobësitë e saj

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Në një diskutim mbi sfidat e sigurisë dhe të ardhmen e Europës, kryeministri Edi Rama u ndal te ekuilibri mes rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe ruajtjes së stabilitetit ekonomik e demokratik në Europë, duke theksuar se siguria nuk mund të trajtohet e shkëputur nga zhvillimi ekonomik, inovacioni dhe kohezioni politik i kontinentit.
Rama mori pjesë në panelin hapës të konferencës “Lennart Meri”, një forum ndërkombëtar i rëndësishëm për çështjet e mbrojtjes, diplomacisë dhe zhvillimeve gjeopolitike, i zhvilluar në Estoni.
Gjatë diskutimit, Rama u pyet mbi shqetësimet kryesore të sigurisë në Europë dhe perceptimin e kërcënimeve aktuale, përfshirë edhe rrezikun nga Rusia në krahun lindor të kontinentit.
“Kur Trumpi u zgjodh, tha se Zoti kishte një plan dhe donte ta sillte në Shtëpinë e Bardhë për të shpëtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe në fakt asokohe e thashë që ai tha vetëm gjysmën e së vërtetës, sepse plani i Zotit përmes shpëtimit të Trumpit ishte që të zgjonte Europën. Nuk e kuptoj vërtet, kur europianët harxhojnë kohë me çfarë tha Trumpi? Unë besoj më shumë miqtë amerikanë kur thonë merreni presidentin Trump seriozisht, por jo fjalë për fjalë. Pra pjesa serioze është që presidenti Trump ka bërë që Europa ta shohë veten me të gjitha dobësitë e saj”, u shpreh Rama.
Rama u ndal edhe te procesi i integrimit të vendit në BE duke e lidhur atë me situatën gjeopolitike pas sulmit rus në Ukrainë.
“Duke folur si kryeministër i Shqipërisë, një vend që po kërkon të hyjë në Bashkimin Evopian dhe tashmë një veteran mes liderëve, tashmë kam dëgjuar kaq shumë herë ju duam në Europë, ju duam në Evropë, ju duam në Evropë, po kurrë nuk ndodhte që të hidhej një hap. Na duhej Vladimir Putini që ata të zgjoheshin e të thoshin, që kërcënimi gjeopolitik qenka real, nuk qenka diçka thjesht teorike”, u shpreh Rama.
Rama vuri në dukje se ky konflikt ndihmoi Europën të zgjohej.
“Nga njëra anë Putini, ndihmoi Europën që të zgjohej dhe të përshpejtonte procesin për ne në përgjithësi. Dhe nga ana tjetër, Trumpi e ndihmoi Europën të kuptonte që duhet të mblidhte veten”, tha Rama.
Rama tha se shihte si problem shkëputjen tërësore në diskutimin e sotëm midis asaj çfarë duhet të bëhet në pikëpamjen ushtarake dhe çfarë duhet të bëhet me të gjithë pjesën tjetër.
Por, sipas tij, këto janë të ndërlidhura.
“Unë kam shumë frikë se nëse këto shpenzime të mbrojtjes mbeten në këto përqindje abstrakte, duhet të rritemi në 3%, 4%, 5% dhe nuk lidhen një me produktivitetin industrial dhe konkurrueshmërinë në Europë dhe dy me integrimin e prokurimeve që është një tjetër problem i madh plus me legjitimitetin demokratik për Europën, jo vetëm për qeveritë e zgjedhura”, theksoi Rama.
Atëherë, vijoi kryeministri, ka shumë gjasë që Europa do të ketë më shumë armë, por do të jetë më e dobët.
“Përmasa politike është kaq e rëndësishme sepse nga ana tjetër është dhe një alternativë që gjithë kjo angështi për sigurinë të ringjallë forcat e errëta që kanë qenë prej kohësh në Europë dhe këtu duhet të bëhemi shumë serioz, sepse në qoftë se riarmatimi e të gjitha këto shpenzime do të ndodhin krah recesionit ekonomik, pabarazisë, panikut për migracionin, besimin në rënie te partitë politike të qendrës, atëherë Europa do të haset me një të djathtë ekstreme shumë më të fortë me etnonacionalizëm e pastaj neofashizmi mund të shfaqet me ngjyrat e veta të vërteta”, shtoi Rama.
Sipas tij, sfida e Europës nuk është thjesht si të armatoset, si të ketë më shumë ushtarë, si të ketë më shumë armatime, si të rritet gjithmonë e më shumë kur bëhet fjala për shpenzimet, por duhet të sigurohet që riarmatimi të mos bëhet një mjet për destabilizimin demokratik dhe kjo mund të jetë kjo është gjë reale, në qoftë se duam të mësojmë nga historia.
“Sepse Europa ka një histori dhe historia na ka treguar shumë se çfarë duhet të përpiqemi të bëjmë. E çfarë të shmangim? Ne në një farë mënyre kemi admiruar, gati adhuruar Europën dhe Bashkimin Europian si një fuqi e madhe për paqen dhe sigurinë”, deklaroi Rama.
Dhe gjithmonë, vuri në dukje ai, kemi menduar gabimisht që të gjitha konfliktet, forcat e errëta e fantazmat kanë mbetur tek e shkuara, kur krejt befas përballemi me një dilemë të madhe strategjike.
Rama deklaroi se, nuk mjafton të identifikojmë se ku i kemi problemet.
“Problemi më i madh është se si zgjidhen këto probleme kur bëhet fjalë për aspektin konkurrues, kur bëhet fjalë për sigurinë energjetike”, tha ai.
Ne jetojmë në një kontinent, ritheksoi Rama, që është shumë i fortë.
“Mendoj që mund të jetë një kurth i madh në qoftë se mbrojtja kthehet në vetëkonsumuese dhe në mënyrë paradoksale mund ta shndërrojë të ndjenjë angshtie, pasigurie, ndjenjën se gjendesh nën një lloj sulmi e ndjenjën që duhet patjetër të përballesh me një agresion në vitet që vijnë e për rrjedhojë duhet të zgjerojmë militarizimin”, u shpreh ai.
Pra, vijoi ai, mund të shndërrohet në një kurth për të redikalizuar politikën dhe për t’i bërë kufizimet strategjike gjithmonë e më të pamundura.
“Nga njëra anë kemi atë rrugëtimin me rrezik të lartë që është zgjerimi ushtarak i fragmentarizuar. Është i fragmentarizuar, le ta themi troç, borxh pa produktivitet, rënie shoqërore dhe sigurisht më pas oportunizmi nacionalist që është gjithmonë gati që të shfaqet”, u shpreh Rama.
Në qoftë se duam të marrim rrugën me rrezik më të ulët të riarmatimit, sepse nuk duhet harruar, u shpreh ai, që vetëm pak kohë më parë të gjithë ishin shumë entuziastë për çarmatimin.
“Tani kemi një entuziazëm për riarmatimin, pra modernizim të të integruar të mbrojtjes, përtëritje industriale, teknologji, inovacion qëndresë demokratike. Këto janë gjërat që në një farë mënyre mund të kundërpeshojnë”, tha Rama. /j.p/