E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria, vendi më i pasigurtë në Evropë për jetën, pronat, ushqimet, ilaçet

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se siguria është një problem madhor për vendin.

Në fjalën e tij në tryezën e hapur të diskutimit me temën “Qeveria e Pasigurisë – Dështimi i Ramës dhe alternativa e opozitës”, organziuar nga Departamenti i Sigurisë në PD, Berisha u ndal te situata e sigurisë në vend.

“Në një shtet, në një vend, në një shoqëri asgjë nuk ka më të rëndësishme se sa siguria e qytetarit, siguria e jetës, e pronës, e veprimtarisë së tij. Dhe në rast se shohim qytetarin shqiptar në raport me sigurinë e jetës, me sigurinë e pronës, me sigurinë e veprimtarisë së tij, me sigurinë e të dhënave të tij personale, me sigurinë e ushqimeve që hanë, e ilaçeve që merr, unë mund t’ju them ju i sigurtë se pas Haitit, nuk ka qytetar më të pasigurtë në botë se qytetari shqiptar”, tha Berisha.

Berisha e cilësoi Shqipërinë si vendi më i pasigurtë në Evropë.

“Qytetari shqiptar për të garantuar sigurinë e tij, largohet nga vendi më i pasigurtë në Europë që është Shqipëria dhe kudo që shkon, shkon në një vend më të sigurtë”, tha Berisha.

Berisha tha se, “sot me dhjetëra e dhjetëra studiues, analistë, por dhe hetues ndërkombëtarë, prokurorë, kanë cilësuar dhe vlerësuar Shqipërinë si narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë”.

Kreu i opozitës ngriti shqetësimin edhe për zhvlerësimin e euros në Shqipëri, të cilin e lidhi me hyrjen e parave të drogës në ekonomi.

“Në 10 vite, euroja është zhvlerësuar me 32%. Shqipëria është kampione botërore për zhvlerësimin e euros. Shteti i dytë është Meksika me 17%, për shkak të karteleve të drogës”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, rënia e euros ka sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe eksportet shqiptare.

“Vetëm rënia e euros me 30% ka fshirë çdo fitim të eksportuesve dhe i ka detyruar të mbyllin sipërmarrjet. Dhjetëra mijëra shqiptarë kanë humbur vendet e punës”, tha ai.

Berisha theksoi gjithashtu se rënia e euros ka rritur kostot për turistët e huaj.

“Plazhet e Shqipërisë janë gjysmë bosh edhe në kulmin e sezonit turistik, sepse zhvlerësimi i euros ka rritur çmimet për turistët”, deklaroi ai.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›