E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Pritëm 400 mijë turistë gjermanë në 2024-ën, fluturime të drejtpërdrejta me Berlinin e qytetet më të mëdha

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vitin e shkuar Shqipëri priti 12 milionë turistë teksa shifrat e janarit dhe shkurtit të këtij viti kanë arritur rekorde të tjera.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes se panairit të turizmit ITB Berlin 2025, Rama u shpreh se, “kur unë mora detyrën në 2013-ën, shifrat ishin krejt ndryshe nga 1990-a, por edhe aso kohe ishin kaq të ulëta krahasuar me shifrat e sotme, nja 2 milionë vizitorë krahasuar me 12 milionë që pritëm vitin e kaluar”.

“Shohim këtë vit shifra edhe më të larta me janarin dhe shkurtin që kanë vendosur rekorde të reja. Deri pak vite më parë numri i gjermanëve që vizitonin Shqipërinë shkonte rreth 100 mijë, ndërkohë që vitin e kaluar u rritën në afro 400 mijë. Por duam më shumë sepse gjermanët janë lloji më i mirë i turistëve”, vijoi Rama.

Rama u shpreh se gjermanët janë pushuesit më të mirë.

“Kur njerëzit në botë mendojnë për gjermanët, e para gjë që iu vjen në mendje është imazhi i tyre si punëtorë të mëdhenj, por në të vërtetë gjermanët janë po kështu pushuesit kryesorë në botë. Ata ua kalojnë edhe kinezëve dhe të gjithë të tjerëve sa u takon numrave vjetorë të turistëve. Jo sepse janë më shumë në kuptimin e shifrave, por sepse qëndrojnë më shumë ditë gjithsej. Kështu që kushdo mendon që gjermanët nuk janë shumë të zgjuar dhe thjesht punojnë e kanë gabim, gjermanët po kështu pushojnë më shumë sesa të tjerët. Dhe i duam sepse pinë shumë birrë, por po kështu hanë shumë, por na vizitojnë. Edhe nëse ka më shumë për të ngrënë në Gjermani, shijet e Shqipërisë janë shumë më të mira”, u shpreh Rama.

Kryeministri gjithashtu krahasoi kafen në Shqipëri dhe kafen në Gjermani.

“Krahasoni atë lëngun e errët që e quani kafe me ekspresin më të mirë jashtë Romës dhe më besoni që ky është krahasimi më pak i dhimbshëm që mund të bëj për të mos fyer mikpritësit tanë”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se gjermanët duhet ta vizitojnë Shqipërinë, teksa citoi “der Spiegel”.

“Nëse nuk doni që t’i besoni fjalës time për këtë atëherë besojini “Der Spiegel”-it që është gati të tregohet e padrejtë me mua, por e përshkruan Shqipërinë si një destinacion që duhet vizituar, qoftë për plazhet e Ksamilit të ngjashme me Bora-Borën, apo rrënojat e Butrintit, apo ngjitjet e marshimet në peizazhet dramatike të Thethit dhe Valbonës”, tha Rama.

Rama gjithashtu citoi edhe gazetën gjermane “Bild”.

“Shqipëria nuk është më një perlë e fshehur. Në 2025-ën do të shndërrohet në një destinacion kryesor për ata që duan diellin dhe detin. E ndryshe nga rajoni i mbipopulluar mesdhetar në Shqipëri mund të gjeni plazhe të qeta dhe të shijoni natyrë të paprekur. Është fakt, Shqipëria aktualisht është destinacioni turistik me rritje më të shpejtë në Evropë dhe në kartën e Kombeve të Bashkuara nënkupton që është e renditur e para në botë, pas pak vitesh krah Katarit dhe Arabisë Saudite, por pa Kupën e Botës dhe pa Mekën”, u shpreh Rama.

“Unë bie dakord me “Bild”-in, nuk jemi më një perlë e fshehur, po shndërrohemi në një fuqi turistike dalëngadalë. Së paku kur matemi me të ardhurat për frymë. Rritja jonë ka shënuar 80% në mbërritje vetëm gjatë 5 viteve të fundit, ç’ka vërteton se Shqipëria është një yll në ngjitje që po ngërthen vëmendjen e botës”, u shpreh kreu i qeverisë.

“Berlini, Dortmundi, Frankfurti, Baden-Badel, Leipcigu, Nuermbergu, Shtutgati, Duseldorfi kanë të gjitha lidhje të drejtpërdrejta me Shqipërinë dhe shumë prej tyre me kosto të ulët. Gjermanëve iu pëlqen që të shpenzojnë shumë, por edhe janë kursimtarë të mëdhenj dhe e duan shumë fluturimin me kosto të ulët, e di këtë”, vijoi fjalën Kryeministri.

Rama shtoi se, gjatë pikut të sezoni turistik shtohen edhe destinacione të tjera. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›