E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Të vetmit “turistë” gjermanoperëndimorë gjatë komunizmit ishin të Kombëtares së futbollit

TIRANË, 3 mars /ATSH/  Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së panairit të turizmit ITB Berlin 2025, u shpreh se, Shqipëria vjen nga një e shkuar e vështirë sa i përket turizmit.

“Gjermania ka qenë së fundi në qendër të vëmendjes globale për shkak të zgjedhjeve të saj, por këtu në ITB zgjedhjet janë shumë herë më të larmishme e guxoj të them edhe më argëtuese. Në këtë javë në Berlin bota ftohet të zgjedhë midis Shqipërisë apo Marokut, Spanjës apo Portugalisë, Greqisë apo Maldiveve, Kinës apo Japonisë dhe kaq shumë vendeve të tjera që marrin pjesë në këtë Kupë Botërore të turizmit. Dhe kjo zonja dhe zotërinj është gara e vetme ku ekipi gjerman nuk nis si favorit”, tha Rama.

Rama ndau një histori të vërtetë kur u zhvillua ky panair i parë në 1967-ën.

“Shqipëria kishte mirëpritur vetëm 1 mijë turistë kryesisht nga Gjermania Lindore. Të gjithë marksistë-leninistë të palëkundur, të cilët e konsideronin Republikën Demokratike shumë të paqëndrueshme, liberale apo të degjeneruar. Në fakt të vetmit gjermanë perëndimorë që vizituan Shqipërinë në atë vit ishin ekipi i futbollit gjerman të drejtuar nga legjenda si Bekenbauer. Për çudinë e të gjithëve, arritën vetëm një barazim 0-0 në Tiranë, pasi na kishin mundur 6-0 në Dortmund. Ky barazim ishte e vetmja njollë në 8 ndeshje që gati i kushtoi Gjermanisë në Kampionatin Evropian. Por kjo është një histori tjetër. Ajo që mbeti e pandryshuar për një çerekshekulli është se të vetmit gjermanoperëndimorë që vizituan Shqipërinë deri në vitin 1990, ishin lojtarët e Kombëtares gjermane të futbollit. Gjithsej erdhën 4 herë dhe nuk ishin më shumë sesa 100 turistë”, u shpreh Rama.

“Gjatë asaj periudhe Shqipëria ishte Koreja e Veriut të Evropës dhe maksimumi që mund të bënim sa i takonte turizmit ishte të arrinim një mesatare prej shumë më pak se 5 mijë vizitorësh në vit. Dhe të gjithë natyrisht ishin marksistë-leninistë”, tha Rama.

“Kishte dhe një berberhane në aeroport në atë kohë, me një mision shumë të veçantë. U bëmë Koreja e Veriut të Evropës pasi u larguam nga perandoria sovjetike dhe u martuam me Kinën, në periudhën më të keqe të historisë kineze, revolucionit kulturor dhe nga këtej mësuam shumë sesi të luanim djallin. Dhe një nga lojërat apo një këto lojëra ishin dhe jo flokë të gjata dhe jo mjekër. Ky berber në aeroportin ndërkombëtar tonin kishte si mision t’u priste flokët e gjatë dhe mjekrën të gjithë turistëve që vinin me grupet marksiste-leniniste për të vizituar Shqipërinë. Kështu Karl Marksi vetë nuk mund të hynte në Shqipërinë marksiste pa rruajtur mjekrën dhe pa prerë flokët”, tha Kryeministri Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›