Rama: Problem performanca e institucioneve të pavarura

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, kishte të ftuar sot, profesorin dhe drejtuesin e Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa.
Kryeministri u shpreh se shtysë për këtë ftesë ishte një publikim me titullin “Zhvillimi afatgjatë”, që i bën një diagnozë të gjithë sistemit të institucioneve në Shqipëri.
Në një nga pika e librit është momenti ku flitet për institucionet që u veçua nga Rama.
Profesor Xhepa tha se “gradualisht shteti e ka rritur peshën e vet në ekonomi, jo vetëm si investitor, si agjenti më i madh ekonomik i shoqërisë, por më së shumti e shohim shtetin si rregullator. Dhe problem është se përgjatë kohës janë futur në sistemin e ekonomisë mjaft rregullime që po të shikosh në fund rezulton në një hiperrregullim dhe ky është një shqetësim për vetë BE. Këto lloj procesesh dhe mbingarkesash që krijohen në ekonomi është e nevojshme që të rishikohen përherë”.
“Kur krijojmë institucione ne nga një herë i krijojmë institucionet e përkohshme, por problemi është që ato mbeten të përhershme. Është një lloj me nxitjen që japim ne në ekonomi. Në ‘97 falimentoi Banka Kombëtare Tregtare Agrare dhe për të zgjidhur problemin e borxheve u krijua Agjencia e Trajtimit të Kredive e cila për tre vite duhet të mbaronte dhe është sot akoma. E kisha fjalën që ato që krijohen të përkohshme e kanë maninë që t’i gjejnë punë vetes”, tha ai.
Xhepa vijoi më tej duke theksuar se ”problemi tjetër që është shqetësim është raporti me institucionet e pavarura dhe kjo është një çështje themelore. Institucionet e pavarura janë gjithmonë një mit, sepse institucionet duhet të varen nga ligji. Problemi është i monitorimit të veprimtarisë së tyre. Ka nevojë mendoj unë duke filluar që nga institucionet e pavarura që filozofia e punës së tyre duhet të jetë ndryshe, e monitoruar, me performancë dhe me indikatorë dhe pastaj ndarje a e raportit të ekzekutivit që duhet të merret me politikbërje me zbatimin dhe me monitorimin sepse këto janë tre funksionet kryesore të shteti”.
Xhepa u ndal edhe në një moment tjetër atë të krijimit të institucioneve. “Ndoshta e mira është që si adresimi i parë duhet të jetë që a kemi institucione ekzistuese që mund ta bëjnë këtë punë sepse nëse kemi, e para minimizojmë kostot sepse krijimi i një agjencia ka kosto dhe bëhet e përhershme dhe nëse kemi në agjenci konkrete e mitra është që funksionet e kësaj agjencie të përmirësohen. Përqendrojmë burimet, rrisim efektivitetin e tyre krijojmë më shumë ekspertizë nga ato dhe mbi të gjitha shmangim mbivendosjen që bëhet shkak për moskryerjen e detyrave”.
Kryeministri Rama u shpreh se “të treja këto janë tre pika ku gjithmonë ka një sinjal alarmi. Ne kemi bërë në mënyrë të përsëritur përpjekje dhe kemi arritur të bëjmë dhe rregullime, lehtësime të caktuara, por gjatë rrugës e kam parë në më shumë se një rast se një gjë e konsideruar e çliruar është shfaqur përsëri e kapur në një tjetër anë dhe zinxhiri i burokracisë është shkurtuar në një anë dhe është zgjatur nga ana tjetër”.
“Kjo e institucioneve të pavarura pastaj është gjithmonë e më shumë problem se sa më shumë ne i japim pavarësi institucioneve aq më shumë bie në sy paaftësia institucionale për të kontrolluar, jo në kuptimin kontroll politik, por për të kontrolluar në kuptimin e performancës në sistemin shtetëror. Dhe rasti klasik është sesi gjykatësit i rritën rrogat vetes. Ai është rasti më spektakolar i impotencës të gjithë pjesës tjetër për të thënë jo. Ata bënë një ankim në Gjykatën Kushtetuese sepse sipas tyre, llogaria e pagave dilte që duhej të rritej në një masë X dhe Gjykata Kushtetuese bëri një ekstra llogari dhe nxori që duhej të rritej edhe më shumë se sa çfarë ata kishin kërkuar dhe ishte pjesë e një debati mes nesh dhe tyre dhe kishte lidhje me një koniunkturë të caktuar. Pra, duhej bërë një rritje bazuar në ligj, por rritja që u morr me vonesë dhe interesa dhe çudira ishte një gjë skandaloze”, tha Rama.
/a.f/