Kontrollet për vrasjen e 48-vjeçarit në Kamëz, një i arrestuar për armëmbajtje pa leje

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Policia e Tiranës ka zhvilluar kontrolle intensive për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, mëngjesin e djeshëm në Kamëz.
Policia njofton se “në kuadër të operacionit policor të koduar “Silenciatori”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje”
Sipas policisë “gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. L, në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë”.
“Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”’, njoftoi policia.
Policia njofton se “po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç.
“Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi E.L 37 dhe E.L 31 vjeç”, njofton më tej policia.
Sipas policisë arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
/a.f/