Rama: Program i ri për parkimet publike, dy parkime në Vlorë me 600 vende

TIRANË, 13 prill /ATSH- Arbi Fortuzi/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Vlorë një bashkëbisedim me operatorët turistikë mbi sezonin turistik, rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës si një portë e rëndësishme e turizmit shqiptar në qendër të vëmendjes globale.
Kryeministri Rama bëri të ditur se shumë shpejt do të lançohet programi për parkimet publike. Ai u bëri thirrje operatorëve turistikë të shqyrtojnë mundësinë për të investuar në parkime, qoftë nëntokësore, qoftë mbi tokë, pasi, sipas tij, përfitimi është i konsiderueshëm dhe me kosto të ulët.
“Na duhen më shumë parkime në të gjithë territorin e Shqipërisë, veçanërisht në zonat urbane. Dy parkime të mëdha do të nisin së shpejti, një pranë sheshit përpara universitetit në Skelë dhe një tjetër në sheshin e madh të Lungomares, të cilat do të akomodojnë rreth 600 makina gjithsej, 250 njëri dhe 350 tjetri.
Por kjo nuk mjafton. Prandaj ju, përveçse operatorë, jeni edhe investitorë dhe duhet ta shihni këtë si një investim të rëndësishëm me kthim të shpejtë. Parkimi është si një hotel ndryshe, ku nuk ka nevojë për staf të madh apo kosto operacionale të larta, por sjell të ardhura të qëndrueshme.
Mos shikoni çdo hapësirë për pallate, pasi nuk mund t’i mbushim lagjet me ndërtime. Shikoni hapësirat midis pallateve apo pranë tyre, bëni marrëveshje me pronarët dhe ndërtoni parkime, qoftë nëntokësore, qoftë mbi tokë.
Bëni parkime me pagesë, pasi do të jetë një e mirë për qytetin dhe për biznesin tuaj. Ne po hartojmë planin dhe do ta lançojmë së shpejti, si për parkimet që do të financohen nga qeveria, ashtu edhe për ato që do të realizohen nga bashkitë në bashkëpunim me privatët apo nga vetë privatët.
Një parkim nuk është e thënë të jetë vetëm nëntokësor, mund të jetë edhe mbi tokë, me arkitekturë tërheqëse, duke u integruar si një godinë funksionale dhe estetike në qytet. Ka ende hapësira në Vlorë që mund të shfrytëzohen për parkime”, tha Rama.