E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Projekti “Porta e Alpeve”, 100 milionë euro investime për zhvillimin e turizmit malor

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Shënimet e javës” në Podkastin “FLASIM”, prezantoi projektin “Porta e Alpeve”, një ndër iniciativat më të reja në kuadër të Paketës së Maleve, që synon zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në veriun e vendit.

“I shtohet Paketës së Maleve një projekt i quajtur ‘Porta e Alpeve’, që përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim masiv prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar me Bankën Europiane të Investimeve, për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor”, tha Rama.

Sipas tij, projekti është konceptuar si një ndërhyrje e integruar që do të përmirësojë ndërlidhjen e zonave veriore me pjesën tjetër të vendit:

“Është një projekt për të cilin kemi punuar për një kohë të gjatë, që synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të vendit, padyshim duke krijuar aksese të lehta dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit”, tha Rama

Rama theksoi se investimet do të përfshijnë një sërë sektorësh kyç për zhvillimin e qëndrueshëm.

“Përfshihet përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe transportit, përfshihen investime në ujësjellës dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe ndërhyrje në zhvillimin urban dhe restaurimin e asaj trashëgimie të vyer historike që ka edhe në zonën e veriut”, tha Rama.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është ruajtja e mjedisit natyror.

“Nuk mund të ishte jashtë projektit edhe kujdesi për të siguruar, për të garantuar gjithë ato pjesë të mrekullueshme të natyrës që duhet të mbeten të paprekshme”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se “Porta e Alpeve” është një projekt me shtrirje të gjerë territoriale dhe me potencial për të gjeneruar zhvillim ekonomik.

“Kjo është qasja e integruar e një projekti që nuk trajton vetëm një segment, por ka një shtrirje gjithëterritoriale dhe synon t’i japë një nxitje ekstra zhvillimit të turizmit dhe të ekonomisë në veriun e vendit”, u shpreh Rama.

Rama iu përgjigj kritikave lidhur me investimet në veri, duke theksuar angazhimin e qeverisë.

“Besoj që, me këtë shënim, mund t’i bëj edhe një përshëndetje të posaçme të gjithë atyre që, sa herë flitet për veriun, menjëherë fillojnë të flasin përçart për qeverinë që nuk ka bërë mjaftueshëm për veriun, dhe një përshëndetje shumë miqësore, duke u thënë që sa ka bërë dhe sa do të bëjë kjo qeveri për veriun e vendit, nuk kanë bërë të gjitha qeveritë e marra së bashku. Sa për ato që vijnë pas, nuk dua të flas, por për të gjitha qeveritë e marra së bashku, qysh se Shqipëria ka hyrë në rrugën e liri-demokracisë, që e dimë të gjithë se si filloi, si vazhdoi dhe të gjithë e shohin se si po transformohet në funksion të të gjithë shqiptarëve dhe në funksion të të gjithë Shqipërisë”, theksoi Rama.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›