E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Projekti në Zvërnec, model i mënyrës se si investohet në harmoni me natyrën

TIRANË, 13 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se investimi në Zvërnec është një model për mënyrën se si të investohet në harmoni me natyrën.

Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian në Luksemburg.

I pyetur nga “Kiev Independent” lidhur me zhvillimet në Shqipëri për investimin e Jared Kushner, Rama tha se kur e sheh Shqipërinë nga jashtë dhe me filtrat e medias online mund të keqkuptohesh.

“Do t’ju ftoja të vinit në Shqipëri sepse kur e sheh Shqipërinë nga jashtë mund të keqkuptohesh, mund të ngatërrohesh. Dhe po ta shohësh Shqipërinë me kaq filtra të sotëm të medias online do të hutoheni tërësisht, do të jeni i paqartë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se bëhet fjalë për një projekt që përfshin shumë më tepër sesa një emër.

“Është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe dhe që duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme në harmoni me natyrën”, u shpreh Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se edhe manifestimet që janë përcjellë dhe transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për të përmirësuar dhe për të na bërë të ecim drejt rezultateve që do të jenë bindëse për shumë më shumë njerëz, sesa në fillim.

“Por megjithatë është diçka që mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte ndaj presim momentin kur do të tregojmë të gjithë punën që po bëhet”, u shpreh ai.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›